Revolta e Wagnerit: Sa avionë dhe sa njerëz humbi Rusia?

Presidenti Putin thotë se pilotët rusë u vranë gjatë luftimeve me forcat Wagner gjatë fundjavës. Duket gjithashtu se disa avionë u shkatërruan.

BBC Verify ka bërë një përmbledhje të asaj që dihet deri tani për humbjet.

Çfarë është thënë për humbjet ushtarake të Rusisë?

Presidenti Putin iu referua “pilotëve heronj të rënë” në një deklaratë më 26 qershor. Megjithatë, ai nuk hyri në detaje për numrin e viktimave apo avionëve të humbur.

Yevgeny Prigozhin, bosi i grupit mercenar Wagner, tha se forcat e tij kishin goditur avionët rusë të cilët “po hidhnin bomba dhe po lëshonin sulme me raketa” në një përpjekje për të ndaluar përparimin e tyre drejt Moskës.

Ai shprehu keqardhjen që iu desh të rrëzonte aeroplanët rusë.

Autoritetet ukrainase pretendojnë se forcat Wagner shkatërruan gjashtë helikopterë rusë dhe një aeroplan gjatë rebelimit të tyre jetëshkurtër të shtunën.

Disa kanale në Telegram,, kanë bërë pretendime të ngjashme për humbjet.

Cilat humbje mund të konfirmohen?

BBC Verify ka parë dhjetëra video të marra gjatë luftimeve midis trupave Ëagner dhe forcave ruse.

Është konfirmuar se një avion ushtarak është rrëzuar në afërsi të qytetit Kantemirovka.

Fotot e rrënojave u postuan në mediat sociale , dhe nga mbeturinat, duket se janë një Il-22M, një version i përditësuar i Il-22. Fjalët “Forca Ajrore Ruse” janë të dukshme në seksionin kryesor.

Ky është një post komandimi ajror, nga i cili mund të kontrollohen trupat gjatë luftimeve. Ai shërben për të lidhur qendrat kryesore të komandës më larg nga vija e frontit me trupat në terren.

BBC Russian thotë se sipas raportimeve të mediave sociale, gjithsej gjashtë helikopterë janë rrëzuar gjithashtu, duke përfshirë dy helikopterë sulmues, tre të përdorur për luftë elektronike dhe një helikopter transporti.

BBC Verify ka konfirmuar një video që tregonte një helikopter rus të rrëzuar pranë Pavlosk.

Imazhet e tjera të rrënojave sugjeruan fuqimisht se ky ishte një helikopter Mi-8, për shkak të konfigurimit të teheve.

Këto janë të pajisura me sistemet më të fundit të luftës elektronike, të krijuara për të luftuar radarin tokësor dhe ajror, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe armët kundërajrore.

Përveç kësaj, helikopterë të tillë kryejnë mbledhje elektronike të inteligjencës.

Fotot e më shumë rrënojave u shfaqën gjithashtu në mediat sociale, këtë herë thuhet se tregojnë një helikopter KA-52, një nga armët kryesore sulmuese të përdorur nga forcat ruse.

Ne nuk kemi qenë në gjendje të verifikojmë se nga janë këto imazhe të veçanta, por një pjesë e mbeturinave tregon figurën 72, një shenjë kodi e lidhur me helikopterin KA-52.

Ne verifikuam gjithashtu një numër videosh që tregojnë një helikopter KA-52 që vepron në zonën e Voronezh gjatë rebelimit të së shtunës.

Sa viktima kishte?

Kremlini nuk ka konfirmuar se sa personel u vranë në rebelim.

Zoti Prigozhin tha se asnjë luftëtar i Wagner nuk vdiq, por se “disa njerëz u plagosën”./Albeu.com/

 


Shtuar 28.06.2023 11:35