VMRO: Rasti i Merkos, shuplakë për BDI-në

Përditësimi i listës së zezë amerikane me emrin e Ramiz Merkos ishte një shuplakë për BDI-në, thonë nga VMRO-DPMNE-ja. Në tribunën partiake për krimin dhe korrupsionin, deputetja Eli Panova tha se Nëse merret parasysh se sa hetime ka pasur gjatë periudhës së kaluar për kreun e Strugës ai tashmë duhet të ishte duke dhënë llogari, megjithatë, personat e afërt me partinë e tij në organet hetuese, sipas VMRO-DPMNE-së e pengojnë këtë.

“Jam e bindur se nëse Merko do të ishte anëtar i cilësdo partie tjetër politike ose i VMRO-DPMNE-së deri sot do të ishte në paraburgim, me siguri për shkak të rrezikut për të ndikuar në vazhdimin e hetimit. Përgjegjësia duhet të ekzistojë dhe përgjegjës për mosveprim dhe fshehje të krimeve të funksionarëve të lartë të BDI-së janë pikërisht anëtarët e infiltruar në organet më të larta gjyqësore,” tha Eli Panova, VMRO-DPMNE.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se pushteti do të bëjë gjithçka gjatë ditëve të ardhshme që tema e Merkos të harrohet dhe ai të mos përgjigjet.

“Rasti i Merkos na tregon se si në të vërtetë qeverisin LSDM-ja dhe BDI-ja dhe sot të jesh kriminel në Maqedoni është me siguri puna më e lehtë që mund të bësh sepse krerët e pushtetit janë ata që e stimulojnë dhe e mbështesin krimin dhe korrupsionin, në vend që ta luftojnë atë.  Ajo që e konfirmoi Departamenti i shtetit me vendosjen e Ramiz Merkos në listën e zezë të SHBA-së është edhe një tregues se krimi dhe korrupsioni për kryesinë e BDI-së dhe LSDM-së janë prioritet dhe se në mesin e tyre ka njerëz që seriozisht merren me minimin e Maqedonisë,” deklaroi Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

Për këtë tribunë të partisë opozitare reaguan nga LSDM-ja. Nga partia e Kovaçevskit thonë se është perverse që VMRO-DPMNE-ja të mbajë tribunë për krimin dhe korrupsionin dhe aq më pak nga pallati i bardhë, i cili, sipas tyre, është simbol i krimit dhe korrupsionit. /alsat.mk


Shtuar 26.06.2023 08:32

Tags: ,