E mori lumi Shkumbin, zhduket 46-vjeçari prej dy ditësh

Një 46-vjeçar rezulton i zhdukur prej datës 20 qershor dhe vëllai i tij ka ngritur alarmin në polici.

Dyshohet se 46-vjeçarin e ka marrë rrjedha e lumit Shkumbin pasi ishte duke punuar një sipërfaqe toke buzë lumit.

“Mëngjesin e djeshëm, shtetasi P. P. ka njoftuar sallën operative, se vëllai i tij, shtetasi B. P., 46 vjeç, gjatë mbrëmjes së datës 20.06.2023, kishte qenë duke punuar një sipërfaqe toke, buzë lumit Shkumbin, dhe nuk ishte kthyer më në banesë”, bën me dije policia.

Janë familjarët e 46-vjeçarit ata që dyshojnë se familjarin e tyre mund ta ketë marrë aksidentalisht rrjedha e ujit, gjatë kohës që ka tentuar për të kaluar në kahun tjetër të lumit, për t’u kthyer në banesë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së bashku me familjarët, kanë nisur kërkimet përgjatë shtratit të lumit Shkumbin.

Gjithashtu, krahas shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, janë angazhuar edhe palombarët e Repartit Special RENEA, të cilët vijojnë kërkimet në të gjithë rrjedhën e lumit, me qëllim gjetjen e trupit të 46-vjeçarit./Albeu.com/ 


Shtuar 22.06.2023 12:01