Udhëtimi drejt vdekjes, në fillim u prish motori, pastaj filloi paniku: Si vdiqën dhjetëra emigrantë në Greqi

Detaje të reja janë zbardhur nga tragjedia në ujërat greke, në të cilën tashmë mësohet se kanë vdekur deri më tani 79 emigrantë të paligjshëm që ishin nisur nga brigjet e Afrikës së Veriut për në Europë.

Mediat greke kanë zbardhur detaje nga udhëtimi tragjik i anijes, e cila ishte mbushur përtej kapaciteteve dhe mësohet se në bord kishte edhe rreth 100 fëmijë të moshës nga 14 deri në 18 vjeç, raporton AlbEu.com.

Tragjedia ndodhi përballë Kallamatas në ujërat ndërkombëtare, ku fillimisht anija pati një problem me motorin duke shkaktuar panik mes udhëtarëve. Më pas, në panik e sipër ata kanë lëvizur në mënyrë të pakontrolluar nëpër anije duke bërë që mjeti lundrues të humbasë ekuilibrin duke filluar të marrë ujë.

Ka të dhëna se gjatë këtij momenti trafikantët, që dyshohet se ishin tetë egjiptianë, kanë mbyllur në brendësi të anijës disa dhjetëra emigrantë. Nuk dihet ende nëse trupat e gjetur u përkasin atyre apo janë të tjerë pasi operacioni për gjetjen e trupave të tjerë apo nëse ka të mbijetuar në det po vijon.

Mes personave që dyshohet që kanë qenë në anije ka ende që nuk janë identifikuar mes viktimave apo mes të shpëtuarve, ndërsa familjarët i kërkojnë duke treguar fotot e të afërmve ndaj atyre që kanë mundur të dalin në breg.

Ndërkohë, policia greke raporton se ka evidentuar mes emigrantëve të shpëtuar edhe tetë persona që dyshohet se janë trafikantët që organizuan këtë udhëtim, i cili përfundoi në një tragjedi në mes të natës, në mes të detit. /albeu.com

 

 


Shtuar 15.06.2023 11:39