Vajza e kryeministrit në provincën e Ontarion në Kanada, është fejuar me Xhonin, një shtetas me origjinë shqiptare.
Lajmi është bërë i ditur nga ambasadori i Shqipërisë në Kanada, Ermal Muça, i cili ka qenë prezent në ceremoninë e mbajtur.
Ai ka shpërndarë foto nga ceremonia në llogarinë e tij zyrtare në Facebook dhe shkruan se pjesë e ceremonisë kanë qenë edhe anëtarë të qeverisë dhe parlamentit të Ontarios.
“Jetë të lumtur dhe me trashëgime John & Kyla!
Me kënaqësi iu përgjigjëm ftesës për të ndarë me çiftin e ri dhe familjarët, lumturinë e tyre në ceremoninë e fejesës. Së bashku me Almën, iu përcollëm urimet më të përzemërta Kryeministrit të Ontarios, Doug Ford dhe zonjës së tij për vajzën e tyre, si edhe familjarëve për çiftin e ri. Biseda miqësore me të pranishëm, ndër të cilët anëtarë të parlamentit dhe qeverisë së Ontarios.
Mirënjohës veçanërisht për John, i cili krenar për origjinën shqiptare e bëri Shqipërinë pjesë të fjalës së tij dhe ftoi të pranishmit të shqiptonin: Faleminderit!”, shkruan Muça në Facebook.
/Albeu.com/