Europol në aksion kundër veshjeve të falsifikuara, arrestohen 378 persona, sekuestrohen 87 mln euro mallra

Europol njoftoi sot rezultatet e Operacionit “Fake Star”, një operacion i koordinuar kundër tregtisë së paligjshme të veshjeve, këpucëve dhe aksesorëve të falsifikuar. Operacioni u zhvillua nga marsi deri në dhjetor 2022 dhe përfshiu agjencitë e zbatimit të ligjit nga 27 shtete anëtare të BE-së, si dhe Europol dhe Interpol.

Gjatë operacionit, autoritetet kryen 3,921 kontrolle dhe sekuestruan 1,956,607 mallra të falsifikuara, me një vlerë totale prej 87 milionë euro. Malli i sekuestruar përfshinte një gamë të gjerë produktesh të falsifikuara, duke përfshirë veshje, këpucë, çanta, ora dhe bizhuteri.

Mallrat e falsifikuara të sekuestruara kishin origjinën kryesisht nga jashtë Evropës, ku burimet mbizotëruese ishin Kina, Hong Kongu, Turqia dhe Vietnami. Sa i përket transportit, falsifikimet hynë në vendet e BE nga toka ose nga deti. Përveç trafikimit të falsifikimit, autoritetet zbuluan edhe aktivitete të tjera kriminale të kryera nga rrjetet e identifikuara kriminale.

Operacioni ‘Fake Star’ i udhëhequr nga policia e Spanjës dhe e Greqisë përfshiu 17 vende në total ku u arrestuan 378 persona.

Hetimet zbuluan gjithashtu se kriminelët përdorin rrjetet e mediave sociale për të reklamuar produkte të falsifikuara. Autoritetet zbuluan se tregtarët po postonin fotografi të mallrave të falsifikuara në dispozicion, kryesisht veshje dhe këpucë, në faqet dhe profilet e tyre të mediave sociale të biznesit.

 


Shtuar 6.06.2023 16:12