Lirimi i Saimir Tahirit nga burgu, avokati: Do të kujdeset për fëmijët e mitur, bashkëshortja e ish-ministrit vuan nga një sëmundje

Ka folur për mediet avokati i Saimir Tahirit, Maks Haxhia. Maks Haxhia tha se Tahiri ka plotësuar të gjithë kushtet për dënim alternative.

Avokati tha se bashkëshortja e ish-ministrit për shkak të problemeve me shëndetin, nuk mund të kujdeset për fëmijët e mitur.

Si rezultat, duke patur fëmijë në ngarkim, Tahiri do të lirohet me kusht dhe do të ketë kontakt telefonik me shërbimin e provës.

Maks Haxhia: Tahiri i ka plotësuar kushtet për dënim alternative. Bashkëshortja e Saimir Tahirit vuan nga një sëmundje që kur e kapin krizat është në pamundësi për t’i shërbyer fëmijëve. Tahiri do mbaj lidhje me shërbimin e provës. Do kujdeset për fëmijët dhe për gjendjen shëndetësore të bashkëshortes.

Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u  lirua sot nga burgu pas një vendimi të Gjykatës së Elbasanit. Pas këtij vendimi, Tahirit i takon të kryejë 1 vit 7 muaj e 11 ditë në shtëpi si pjesë të mbetur të dënimit.

Dënimi

Më 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

/albeu.com/