Yuri Kim në Gjirokastër: Bota duhet të njihet me këtë vend të bukur

Ambasadorja Yuri Kim vizitoi sot qytetin e Gjirokastrës, në kuadër të turit të saj lamtumirës, pasi është në përfundim të mandatit të saj si diplomate amerikane në Shqipëri.

Në fjalën e saj ambasadorja Kim u shpreh: “Gjirokastra është një nga vendet më të bukura në Shqipëri. E vërteta është në fakt që bota po mëson për Gjirokastrën dhe një pjesë e imja do donte që e gjithë bota ta dinte dhe njohë, por një pjesë tjetër do donte që ta ruante të fshehtë sepse është e bukur. Shpresoj që sa më shumë njerëz të vijnë në Shqipëri dhe në Gjirokastër do ta çmojnë këtë vend si thesar të çmuar, të vijnë të vizitojnë këtë qytet të gurtë me ato çati të vendosura mbi njëra-tjetrën, por mbi të gjitha për zemrën e artë që kanë qytetarët.”

Në vizitën e saj zyrtare ambasadorja Kim, gjithashtu zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Bashkisë Flamur Golemi i cili i dorëzoi “Çelësin e qytetit”.

Dje Yuri Kim vizitoi bashkitë Skrapar dhe Libohovë për t’u thënë lamtumirë qytetarëve. Gjatë udhëtimit, ajo u ndal për të admiruar pamjet mahnitëse të Kanionit të Osumit dhe Kalasë së Libohovës. Ajo vizitoi gjithashtu Muzeun Etnografik dhe të Luftës në Çorovodë dhe u takua me banorët vendas në të dy rajone.

Yuri Kim do të zëvendosohet nga  diplomati David J. Kostelancik, i cili aktualisht mban pozicionin e drejtorit në Zyrën për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Sht

Yuri Kim mori votëbesimin si ambasadore e SHBA në Tiranë nga senati amerikan në 29 nëntor 2019. Ajo zbriti në Tiranë në 22 janar të 2020.

Tashmë ajo është në përfundim të mandatit të saj.

Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.

Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë. Më herët në karrierën e saj, ka qenë Ndihmëse e Posaçme e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, si dhe Ndihmëse e Posaçme e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit. Mandatet e saj jashtë SHBA përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën./albeu.com/


Shtuar 2.06.2023 12:38

Tags: