Arrestimi i Belerit, kryeministri grek: Nuk do ta toleroj një sjellje të tillë me minoritetin

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka komentuar me tone të ashpra arrestimin e lënien në burg të kandidatit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

Në një intervistë për mediat greke Mitsotakis thotë se Greqia “nuk do të tolerojë një sjellje të tillë në kurriz të pakicës kombëtare greke në Shqipëri”

“Është e papranueshme. Është e pamendueshme që ai të futet në burg dy ditë para zgjedhjeve”, theksoi kryeministri grek.

Mitsotakis bëri të ditur se Greqia do të mbetet gjithmonë mbështetëse e pakicës kombëtare greke dhe se i ka bërë të qartë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se “në këtë çështje nuk pranojmë lëshime për shtetin e së drejtës”. Mes të tjerash ai paralajmëroi qeverinë Rama se nëse një politikë e tillë vazhdon, do të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe dhe në rrugën e Shqipërisë drejt Europës.

Beleri u arrestua pak pas mesnate të premten, para lokalit të tij bashkë me një person tjetër.

Forca të shumta policie morën pjesë në prangosjen e tij, që u bë me urdhër të SPAK. Vetë Beleri dhe të tjerët, kanë mohuar që të jenë përfshirë në shkelje të tilla, si blerja e votave./albeu.com/


Shtuar 14.05.2023 13:12