“Gjoni nuk është engjëll, ka dhe ai të vetat”, Rama në Pukë, akuza opozitës: Po intimidon qytetarët

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Puka. Nga atje, akuzoi opozitën se po kërcënon dhe po indimidon qytetarët në këmbim të votës.

Rama tha se kryebashkiakët socialistë u janë drejtues policisë për të mbrojtur zgjedhjet.

“Dhunën e bën opozita dhe jo pushtetit, dhe kryetarët tanë të Bashkive i drejtohen policisë për të mbrojtur zgjedhjet nga ata që vijnë për të marrë pushtetin, në funksion të asaj faqes së zezë që është në Tiranë. Ç’a po i bëjmë ne opozitës, përveçse po e mundim”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama bëri dhe batuta me kandidatin e PS, Gjon Gjonaj, duke thënë se nuk është aq i mirë sa duket, por punën e bën më mirë se kushdo.

“Këto nuk janë zgjedhje të thjeshta. Këtu nuk bëhet fjalë se Gjoni do të vazhdojë punën dhe i ka dalë përpara një kandidati që po na huton me programin e vet dhe po na bën të mendohemi kush e bën punën më mirë. Gjoni nuk ka rënë nga qielli, Gjoni ka ato të vetat. Na del Gjoni sikur nuk ka të sharë, jo mor jo se ke edhe ti ato të vetat. Ai tjetri është një maskë. Pse me sheh ashtu, apo je engjëll ti? E mor Gjon se të njoh po rri tani. Po kur bën kështu sikur është i urtë, me zë të ultë. Fjalën e mirë. Po fjalën e mirë mbajë për këta jo për mua, unë ta marr vetë fjalën e mirë. Mos mendoni se unë nuk e di që Gjoni ka ato të vetat. Unë nuk kam ardhur t’ju them merreni Gjonin krushk, apo po kërkon nuse. Gjoni është për punë dhe punën e bën më mirë se ai tjetri. Për komshi nuk ështe aq mirë, ta kesh larg është më mirë, por për punën e bën mirë. Ata janë maska që i kanë sjellë këtu”, tha Rama.


Shtuar 12.05.2023 12:37

Tags: ,