Ne presim të integrohemi, por BE mund të shpërbëhet deri atëhere: Shtetit që mund të dalin

Nga David Averre “Daily Mail

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kur Britania votoi në shumicë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian në refendumin e 23 qershorit 2016, analistët pro-BE paralajmëruan se një efekt domino i nxitur nga euroskeptikët mund të shtynte vendet e tjera që të ndiqnin këtë shembull.

Por Brexit nuk rezultoi të ishte “Kutia e Pandorës”, së cilës iu frikësuan vendet kryesore te unionit, dhe që nga ajo kohë asnjë shtet tjetër anëtar nuk ka bërë plane për t’u larguar nga blloku. Pandemia e Covid-19 dëmtoi rëndë ekonomitë e shumë vendeve evropiane, të cilat janë të ndërvarura nga fondet e rimëkëmbjes së BE-së.

Ndërkaq pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin ka qenë i rëndësishëm në nxitjen e solidaritetit midis shteteve të BE-së për vendosjen e sanksioneve ekonomike kundër Moskës dhe dërgimin e armëve në Kiev. E megjithatë, euroskepticizmi është ende shumë i pranishëm në të gjithë kontinentin.

Jimmie Akesson, kreu i partisë së dytë më të madhe politike në Suedi, shkroi këtë javë në një editorial se “ka arsye të mira për të rivlerësuar seriozisht anëtarësimin tonë në BE”. Madje edhe disa nga anëtarët më të fuqishëm dhe më të vjetër të BE-së vazhdojnë të jenë dyshues mbi përfshirjen e Brukselit në çështjet e tyre të brendshme. Por cilat vende në Evropë mund të bëjnë një ditë një përpjekje për t’u larguar nga BE ose të synojnë të zvogëlojnë ndikimin e Brukselit nga brenda?

Greqia

Greqia ka pasur një marrëdhënie të vështirë me BE-në që kur iu bashkua në vitin 1981.

Kriza e borxhit, që filloi në vitin 2009, ka qenë një burim i madh tensioni midis Greqisë dhe partnerëve të saj në BE. Këmbëngulja e Brukselit për masat shtrënguese si kusht për ndihmën financiare, ka qenë shumë jopopullore në Greqi.

Ende sot shumë njerëz mendojnë se vendi është poshtëruar nga partnerët e tij të BE-së. Kryeministri aktual Kyriakos Mitsotakis ka bërë përpjekje të mëdha për të riparuar marrëdhëniet e kombit të tij me bllokun evropian, duke shprehur mbështetjen e tij për Brukselin, nxitur me sukses rritjen ekonomike dhe shlyer borxhet herët.

Por partia e tij Demokracia e Re do të humbasë shumicën në zgjedhjet e 21 majit dhe qëndrimi i popullit grek ndaj BE-së është ndër më të negativët në kontinent. Sondazhi më i fundit në shkurt 2023 zbuloi se Greqia ishte vendit anëtar më anti-BE. 53 për qind e qytetarëve pohuan se ishin pesimistë për të ardhmen e BE-së, ndërsa 60 për qind thanë se nuk i besonin unionit.

Italia

Italia ka qenë gjithmonë një vend eurofil, dhe është një nga anëtaret themeluese të Bashkimit Evropian. Por ngjarjet e viteve të fundit, i kanë bërë italianët gjithnjë e më të zhgënjyer me BE-në se kurrë më parë. Ajo u godit rëndë nga pandemia e Covid-19 dhe përgjigja e BE-së u kritikua si e ngadaltë dhe joefektive.

Më pas, në prag të zgjedhjeve të shtatorit 2022, retorika e zjarrtë e udhëheqëses nacionaliste italiane Giorgia Meloni dhe qëndrimi historikisht anti-evropian, bëri që të etiketohet nga mediat gjermane si “gruaja më e rrezikshme në Evropë”. Në realitet, kreu i qeverisë më të djathtë që ka parë Italia që nga Lufta e Dytë Botërore, ka zgjedhur të shmangë përplasjet me Brukselit gjatë 8 muajve të saj të parë në detyrë.

Në udhëtimin e saj të parë në Bruksel në nëntor 2022, Meloni deklaroi mbështetjen e saj për BE-në dhe e ka miratuar kryesisht qëndrimin e bllokut ndaj luftës në Ukrainë, inflacionit dhe çmimeve të energjisë. Por disa analistë besojnë se kryeministria italiane po mban një qëndrim pragmatik për shkak të vështirësive financiare të Italisë.

Me një nivel gati 150 për qind të PBB-së, Italia ka borxhin e tretë më të madh në botën e industrializuar pas Japonisë dhe Greqisë, dhe Roma është shumë e varur nga fondi i rimëkëmbjes dhe qëndrueshmërisë së Bashkimit Evropian. Ajo do të marrë rreth 190 miliardë euro grante dhe kredi, për sa kohë që qeveria e saj përmbush një sërë reformash për të cilat është rënë dakord me administratën e mëparshme.

Por sipas sondazhit më të fundit të Eurobarometrit, vetëm 50 për qind e italianëve i besojnë BE-së dhe shumë dyshojnë se Meloni thjesht po e shtyn përplasjen për të konsoliduar mbështetjen për partinë e saj “Vëllezërit e Italisë”.

Franca

Franca ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të ndërlikuar me BE-në. Ajo është një nga anëtaret themeluese të bllokut dhe ekonomia e tij e dytë më e madhe, dhe liderët francezë janë dëshmuar të rëndësishëm në formësimin e politikës së BE-së. Por Franca ka qenë gjithashtu një nga kritikëet më të zëshme të BE-së, dhe shumë francezë mendojnë se vendi ka humbur sovranitetin e tij në raport me Brukselin.

Euroskepticizmi francez arriti kulmin në dekadën e fundit kur Marine Le Pen, liderja e partisë populiste të krahut të djathtë Tubimi Kombëtar, e bëri largimin e vendit nga BE një pjesë kyçe të platformës së saj politike. Pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2017, Le Pen braktisi planet e plota për një “Frexit”, por konfirmoi synimin e saj për të zbutur kontrollin burokratik të BE-së mbi Francën.

Presidenti aktual i Francës, Emmanuel Macron, e mposhti me vështirësi Le Pen vitin e kaluar për të fituar një mandat të dytë në pushtet. Por vlerësimi i tij në sondazhe është aktualisht në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave pas protestave disamujore për shkak të kundërshtimit të reformimit të sistemit të pensioneve. Ndërkohë, sondazhi i shkurtit i Eurobarometrit zbuloi se 57 për qind e francezëve nuk i besojnë Bashkimit Evropian, dhe 50 për qind janë pesimistë për të ardhmen e bllokut.

Suedia

Siç e përmenda në fillim kreu i partisë së dytë më të madhe të Suedisë Jemmie Akesson tha se fuqia gjithnjë në zgjerim e BE-së do të thotë se “politikanët gjermanë, polakë apo francezë, vendosin në praktikë se çfarë makine mund të blini, sa e shtrenjtë duhet të jetë benzina dhe cilën pemë mund të prisni në pronën tuaj”.

Udhëheqësi i Demokratëve të Suedisë tha se vendi duhet të kërkojë më shumë përjashtime nga ligjet e BE-së si pjesë e një “rivendosjeje” në marrëdhëniet me grupin 27-anëtarësh. Akesson, partia e të cilit është kundër emigracionit dhe ka një ndikim të madh mbi qeverinë e qendrës së djathtë të Suedisë, nuk bëri thirrje direkte për ‘Swexit’, por ai tha se BE-ja po shkonte në drejtimin e gabuar. Gjithsesi perspektiva e një Swexit mbetet shumë e pamundur. Sepse sipas Eurobarometrit, 63 për qind e njerëzve atje pretendojnë se i besojnë bllokut dhe 73 për qind mbeten optimistë për të ardhmen e tij.

Hungaria

Pavarësisht se vendi i tij është anëtar i BE-së dhe NATO-s, Victor Orban ka mbajtur një marrëdhënie të fortë me Vladimir Putin gjatë gjithë luftës në Ukrainë dhe ka mbrojtur vazhdimisht një qëndrim më të butë perëndimor ndaj Rusisë.

Po ashtu, qeveria e tij është akuzuar për reduktimin e lirive demokratike në Hungari që nga marrja e pushtetit në vitin 2010, dhe për përdorimin e burimeve shtetërore për të çimentuar pushtetin e vet. Për më tepër, udhëheqësi hungarez është në një kurs përplasjeje me zyrtarët e lartë të BE-së për qasjen në fondet e rimëkëmbjes së pandemisë së bllokut.

Këtij vendi i është refuzuar qasje në dhjetëra miliarda euro, dhe BE deklaron se do t’i japë fonde Orban vetëm me kushtin që qeveria hungareze të zbatojë një listë të gjatë reformash për të përmbushur standardet demokratike dhe legjislative evropiane. Ndërkohë sipas Eurobarometrit, 43 për qind e hungarezëve janë pesimistë për BE-në dhe 44 për qind nuk i besojnë bllokut.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 10.05.2023 11:49