Një peshkarexhë është mbytur gjatë natës në ujërat e Adriatikut. Peshkarexha u godit nga një prej trageteve të linjës Durrës-Bari.
Përplasja shkaktoi çarje të saj, ndërsa 3 peshkatarët, dy durrsakë dhe një egjiptian arritën të braktisin në kohë anijen ‘Eltoni”, që po fundosej në ujë, duke përdorur mjet në vogël shpëtimi.
Ata janë nxjerrë në breg nga forcat e policisë detare dhe raportohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ngjarja ndodhi afër mesnatës në dalje të portit, pranë fenerit, ndërsa alarmi u dha nga familjarë të shqetësuar të peshkatarëve që ndodheshin në bord, pasi kishin humbur kontaktet me ta.
Peshkatarët e mbetur në det ishin Klajdi Kapxhiu, Selim Agasi dhe Muhamed, një shtetas egjiptian.
Siç njofton policia, mjeti lundrues i policisë kufitare të Durrësit ka mbërritur në kohë dhe ka shpëtuar nga mbytja shtetasit që ndodheshin në ujë, pasi motopeshkarexha ishte fundosur në det.
Njoftimi i policisë
Port, Durrës: Policia Kufitare e portit të Durrësit shpëton 3 shtetas që lundronin me një peshkarexhë me konstrukt druri, dhe rrezikonin të mbyteshin, pasi peshkarexha iu fundos në det. Rreth orës 00:05, QNOD ka njoftuar Policinë Kufitare të portit të Durrësit, se 3 shtetas që ndodheshin në një motopeshkarexhë, kërkonin ndihmë, pasi rrezikonin të mbyteshin në det.
Punonjësit e Policisë Kufitare kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë, kapitenin, shtetasin S. A., 54 vjeç dhe pjesëtarët e bordit, shtetasit K. K., 30 vjeç dhe M. E., 50 vjeç, të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës, për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para dyshohet se motopeshkarexha është goditur nga një traget, i cili ka pezulluar lundrimin. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
/albeu.com/