Sot Dita e Evropës, pse festohet më 9 Maj

78 vjet më parë, më 9 Maj 1945, në kontinentin e Evropës përfundoi lufta më e përgjakshme që kishte parë njerëzimi ndonjëherë, lufta kundër nazi-fashizmit.

Kjo datë shënon triumfin e rezistencës popullore kundër makinerisë vrasëse, të emancipimit kundër errësirës ideologjike të nazifashizmit, të popujve kundër perandorisë, të barazisë kundër shfrytëzimit.

5 vjet më pas, po më 9 Maj 1950, u lidh marrëveshja e parë midis Gjermanisë Perëndimore dhe Francës për bashkimin e industrive të çelikut dhe qymyrit, për të vazhduar pastaj me marrëveshje tjera ekonomike dhe krahas kësaj zgjerimin e shteteve nënshkruese.

Bashkimi Evropian që njohim sot kështu kishte filluar.

Ndaj sot, 9 Maji shënon Ditën e Evropës. Projekti i Evropës së bashkuar kishte parakusht barazinë midis popujve dhe lirinë e tyre për t’u bashkuar vullnetarisht në projektin e përbashkët.

Paqja e qëndrueshme në Evropë ka në themel dy shtylla të forta: barazinë mes shteteve dhe qytetarëve, paprekshmërinë e kufijve të këtyre shteteve.

Vetëm duke e njohur njëri-tjetrin në mënyrë reciproke dhe si të barabartë dhe vetëm duke ia njohur kufijtë shtetërorë si të pacenueshëm, u bë i mundur projekti për bashkëpunim reciprok mes shteteve në të mirë të të gjithëve.

Dita e Evropës u vendos si festë në Samitin e Milanos në 1985.


Shtuar 9.05.2023 07:56