Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj, është shprehur se beson se nuk do të ketë asnjë të dhënë për zhdukjen misterioze të biznesmenit Ervis Martinaj.
Hajdarmataj tha se nëse kalojnë 6 muaj nga një ngjarje e rëndë kriminale, në Shqipëri ajo mbetet e pazbardhur për shkak të paaftësisë së hetuesve.
Ai përmendi edhe raste të tjera të ngjarjeve kriminale që kanë mbetur pa zbardhur dhe sipas tij, ato zbardhen vetëm në rastet kur dëshmojnë kriminelë të penduar që kanë pasur lidhje me këto ngjarje.
“Duhet t’i ndajmë gjërat sesi funksionojnë. Vërtet situate e rendit nuk është normale. Ju përmendët disa ngjarje, por të mos harrojmë që kemi një ngjarje shumë më të rëndë në Vaun e Dejës, që deri më tani ka vetëm konotacion politik. Ai kishte mamanë dhe vetë në makinë, që larg qoftë 2 viktima. Ka temperaturë të lartë politikisht aktiviteti kriminal.
Ka raste që policia ose prokuroria ka pista hetimore dhe të dhëna, por nuk ka prova. I gjithë informacioni, gjithmonë ka një pistë. Këto pista hetimi mund të jenë edhe të sakta. Por gjetja e provës është pak e vështirë. Kjo është një nga arsyet që të mban peng. Arsyeja tjetër është edhe paaftësia për të kryer hetime. E gjithë kjo teknologji që po përdoret për të bërë hetime, nga kamerat e sigurisë te mjetet e tjera, do të thoja që policia nuk është e zonja dhe nuk i ballafaqon dot këto të dhëna teknologjike. Del një ngjarje, harrohet ajo, del një tjetër dhe hyjmë në një rreth ciklik dhe ne si qytetarë nuk ndihemi të sigurt.
Fatkeqësisht për Martinajn nuk ka të dhëna dhe mendoj se nuk do të ketë. Për rastet e bujshme të zhdukjeve, kemi rastin përshembull të vrasjes së bankierit Santo, etj. Unë mendoj se një ngjarje e bujshme nuk arrin të zbardhet brenda 6 muajve, atëherë ajo dosje harrohet. Kalon nga një kasafortë në një tjetër. Kemi disa ngjarje të vjetra të zbuluara, për shkak të pendimit të disa kriminelëve që kanë dhënë detaje për ngjarjen.
Nuk kemi zbulueshmëri për shkak të paaftësisë së policisë dhe prokurorisë. Pra fatkeqësisht nëse nuk arrihet që të zbardhet në një afat 6 mujor, kjo dosje harrohet”, u shpreh Hajdarmataj./panorama/