Teksa pritet që koalicioni “Bashkë Fitojmë” të hapë zyrtarisht fushatën elektorale ditën e nesërme, kandidati për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi vijon takimet në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Ditën e sotme ai ka zhvilluar një takim me banorët e Njësisë Nr.11 në Laprakë.
Në këtë zonë, vitet e fundit, për shkak të ndërtimit të Unazës së Re por edhe të projekteve të rindërtimit, shumë banorë kanë humbur pronën e tyre.
Për këtë problem që prek shumë familje në këtë njësi, Belind Këlliçi u angazhua që pas 14 majit të bëhet dëmshpërblim i plotë i banorëve dhe me çmimin e tregut.
“Çdo shtëpi që është prishur në Njësinë Nr.11 nga projektet e infrastrukturës, të rindërtimit, do të dëmshpërblet një për një në mënyrë të drejtë me metra katror, dhe me çmimin e tregut. Shtëpitë afër shinave, që do të prishen për zgjerimin e hekurudhës, ku janë vendosur dhe një pjesë e madhe e komunitetit rom, do të dëmshpërblen një për një dhe do të jenë plotësisht në vëmendjen e bashkisë”-u shpreh Belind Këlliçi.
Në këtë kontekst, duke folur për projektvendimin e qeverisë për auditimin e pallateve 50-vjeçare, Belind Këlliçi u shpreh se asnjë pallat në këtë moshë nuk do të shembet. Madje, ai siguroi se pas 14 majit këto pallate të rikonstruktohen me sistem kapot, e cila minimizon kërkesat për energji të familjeve që banojnë në to.
“Në lidhje me godinat 50-vjeçare. Asnjë pallat i vjetër nuk do të prishet, madje do të ndërhyjmë për të bërë të mundur veshjen e pallateve me kapot, për të kursyer energjinë. Ky është një premtim që e jap para jush, nuk do t`i preket prona asnjë qytetari, asnjë familje”, tha kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës.
Problemet e infrastrukturës në Laprakë janë shqetësim parësor për banorët. Belind Këlliçi u angazhua që në këtë zonë, pasi ai të marrë drejtimin e bashkisë Tiranë, të kryhen investime në rikualifikimin urban dhe infrastrukturën e lagjeve.
“Sistemimi i bllokut, me shtëpi private afër fabrikës së tullave. Rrugë të paasfaltuara që ju i shihni çdo ditë, rrugët janë pa trotuare dhe pa ndriçim, ne në këtë zonë do të bëjmë një ndërhyrje të plotë. Do të rregullojmë infrastrukturën rrugore në Kodër Kamëz edhe te Treshi. Do të marrë fund historia, që nënat e reja, nuk kanë trotuar që të nxjerrin fëmijët me karrocë. Padiskutim do të ndërhyjmë në kanalizim për të shmangur përmbytje në zonën e “Zogut të Zi” në zonën e “Dërrasave”, u shpreh Belind Këlliçi.
Një tjetër premtim është ai për ndërtimin e kopshteve, shkollave dhe çerdheve, të cilat edhe në Njësinë Nr.11 nuk janë të mjaftueshme.
“Zona e Bregut të Lumit, ka vetëm një çerdhe të vogël dhe një kopësht pa drekë. Historia e zonave, e njësive, që nuk kanë kopshte, shkolla dhe çerdhe do të marrë fund. Unë jam ndalur në planin tim për arsimin, në propozimin që kam bërë për taksën e 3% që do të dedikohet për kopshte e çerdhe dhe nëse nuk mjafton, i gjithë 8% i taksës së infrastrukturës që vjen nga lejet e ndërtimit, do të shkojë për çerdhe, kopshte dhe shkolla”-u shpreh kandidati opozitës para banorëve të Laprakës.
Prioritet për Belind Këlliçin do të jetë zbutja e kostove të jetesës për qytetarët. Ndaj, një ndër pikat e rëndësishme që ai ka në programin e tij, është bonusi i qirasë për familjet dhe çiftet e reja, të cilat sot nuk arrijnë të blejnë një apartament, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të apartamenteve.
“Do të ketë një bonus qiraje padiskutim për çiftet e reja që e kanë sot të pamundur me një rrogë mesatare në Tiranë, që i duhen 96.4 vite jetë për të blerë një apartament 90 metër katror dhe familjet në nevojë që e kanë të pamundur ta përballojnë jetesën apo qeranë, për shkak të një flluske të madhe që ka ngritur kryebashkiaku aktual në këto 8 vjet të pastrimit të parave me mafien e ndërtimit, kjo histori do të marrë fund. Fusha e sportit në bllokun “Gintash” do të kthehet funksionale gjatë gjithë ditën. Edhe kinemaja do të jetë e hapur gjatë gjithë kohës për aktivitete në zonë”-tha Këlliçi.
Uji i pishëm do të jetë në fokusin e Belind Këlliçit. Para banorëve të Laprakës ai u zotua që pas 14 majit do të punojë që në Tiranë të arrihet furnizimi i qytetarëve deri në 17 orë në ditë.
“Do të ndërhyhet padiskutim në çështjen e ujit të pishëm. Uji i pishëm është një problem. Unë kur kam qenë këtu më keni thënë që keni një ose dy orë ujë mesatarisht në ditë. Po çfarë mund të bëjmë është kjo, që realisht ne të kemi në çezmat tona në Tiranë ujë të pijshëm minimalisht 14 orë në ditë deri në 17, në mënyrën optimale do tentojmë 20-tën. Por minimalisht të kemi 14 orë ujë të pijshëm në Tiranë”-tha Këlliçi.
Për projektin e transportit publik falas, Belind Këlliçi tha para banorëve të Laprakës, se kanë punuar ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj.
“Erion Veliaj është i tmerruar nga premtimi që atë do ta nxjerri pikësëpari nga zyra në 14 maji, autobusi falas. Unë do e bëj realitet pas 14 majit. Me këtë premtim janë marrë ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj të transportit rrugor, inxhinier dhe persona që përfaqësojnë shoqatën lokale dhe kombëtare të transportit urban. Thonë që është vetëm çështje vullneti, ne nuk jemi të varfër por jemi të vjedhur”, pohoi Këlliçi.
Por çfarë përfitojnë qytetarët nga këto propozime të Belind Këlliçit? Përgjigjen e dha vetë ai para banorëve në Laprakë, duke u shprehur se programi dhe paketa e masave që ai propozon, ka tre shtylla kryesore dhe që lidhen kryesisht me uljen e kostove të jetesës për qytetarët e Tiranës.
“E gjithë paketa e masave që unë propozoj fokusohet në tre shtylla kryesore. E para është ulja e kostove të jetesës. Problemi kryesor që ka Tirana sot është shtrenjtimi i çmimeve, kostot e larta, pamundësia e familjeve në Tiranë për të përballuar muajin. Dhe kjo është ajo që po vret shpresën në këtë vend, dhe po largon të rinjtë çdo ditë e më shumë nga vendi. Unë do të fokusohem shumë fort te familja, ke familjet e reja, te nënat e reja, dhe padiskutim te e ardhmja e fëmijëve. E ardhmja e fëmijëve nis edhe që tek edukimi në parashkollor, por nis edhe te krijimi i një shprese për ta mbajtur një fëmijë këtu në të ardhmen”-u shpreh Belind Këlliçi.
Në fund, Belind Këlliçi ka dhënë një premtim edhe për të gjithë punonjësit aktual të bashkisë, që kërcënohen me vendin e punës nëse nuk votojnë Erion Veliajn.
“I garantoj të gjithë ata që janë shqetësuar, sepse marr mesazhe, ja jap prapë nga Lapraka mesazhin: kushdo që hiqet nga puna për arsye politike sepse nuk voton Erion Veliajn, mbas datës 14 majit me Belind Këlliçin do të kthehet në detyrën e vet në punë në administratën e bashkisë Tiranë. Sikundër kushdo që është aty për të qenë patronazhist apo aktivist, të iki ta bëj atë punë te Partia Socialiste sepse administrata e Bashkisë Tiranë do të punojë për qytetin, për Tiranën”./Albeu.com/