Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkozë.
Roland Sinani 43 vjeç vrau me armë zjarri kunatën e tij (nusen e vëllait) Migena Sinani, 37 vjeç dhe më pas veten.
43-vjeçari vrau kunatën e tij teksa kjo efundit po flinte në dhomën e saj së bashku me fëmijën e mitur, 2 vjeç.
Autori më pas doli jashtë te dera dhe qëlloi veten.
Por ajo që mbetet mister dhe ka ngjallur dyshime te policia është arma e krimit, e cila u gjet disa metra larg autorit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit në banesën e familjes Sinani. Sipas të dhënave, autori ka shkuar në dhomën ku flinte gruaja e vëllait të tij dhe mbesa 2 vjeçe dhe e ka qëlluar me armë. Pas kësaj ka dalë në oborr dhe ka vrarë veten. Ndërkohë i vëllai nuk ndodhej në banesë, por në punë pasi punonte si taksist.
Mësohet se nëna e autorit e ka parë të birin me armë dhe i ka kërkuar të shkojë të flejë, teksa më pas ka dëgjuar të shtënat.
“Unë e kam parë djalin me armë në dorë, i thashë ik të flesh. Kur dëgjova krismat shkova direkt te dhoma e nuses dhe gjeta vajzën e vogël duke qarë”, ka dëshmuar nëna e autorit në polici. E moshuara ka probleme të mëdha shëndetësore dhe vështirësi në ecje, për shkak të një rrëzimi dhe më pas i është nënshtruar një ndërhyrjeje duke vendosur hekura në këmbë.
Po një tjetër fakt ka ngjallur dyshimet e policisë, pasi arma, tip pistoletë e përdorur nga 43-vjeçari është gjetur larg trupit të tij edhe pse nga mënyra sesi ai ka rënë pa jetë nuk lë vend për dyshime se ai është vetëvrarë.
Sipas dëshmive, babai i autorit, edhe ai i moshuar dhe me probleme skleroze ka shkuar menjëherë të djali i tij kur ka qëlluar veten.
Ka dyshime se i moshuari e ka larguar armën nga trupi i të birit. Gjithsesi policia po heton të gjitha pistat e mundshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes./Albeu.com/