Euro po vijon rënien në kursin e këmbimit dhe ka rënë për herë të dytë në historinë e vet poshtë kufirit të 113 lekëve.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të enjten me 112.96 lekë, niveli më i ulët për vitin 2023 dhe i dyti më i ulët historik. Euro pati rënë më shumë vetëm në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, kur arriti nivelin e 112.83 lekëve.
Rënia e monedhës europiane duket e orientuar drejt rekordeve të reja, duke parë tendencën e muajve të fundit dhe pritshmëritë për rritje të prurjeve valutore gjatë pranverës dhe verës, si rezultat sidomos i një sektori turistik që duket në rritje të vazhdueshme dhe të shpejtë pas pandemisë.
Sipas ekspertëve, në pamje të parë, i vetmi faktor që mund ta frenojë rënien e euros mund të jetë efekti i zgjedhjeve lokale dhe rritja e shpenzimeve qeveritare në periudhën para tyre, që mund të shtojë disi ofertën e lekut në tregun valutor.
Por, megjithëse mungon pak më shumë se një muaj nga zgjedhjet, një efekt i tillë nuk duket dhe nënçmimi i euros në kursin ndaj lekut po vazhdon. Nga ana tjetër, përvoja ka treguar se periudhat parazgjedhore shoqërohen edhe me shtim të ofertës së euros në tregun valutor, ndaj ndoshta as fushata zgjedhore mund të mos kenë një efekt të rëndësishëm në drejtim të zhvlerësimit të lekut.
Agjentët e këmbimit valutor shprehen se oferta e monedhës europiane paraqitet e lartë, një tendencë që kanë e qartë qysh vitin e kaluar. Të dhënat e Bilancit të Pagesave treguan se vitin e kaluar të ardhurat nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja direkte shënuan vlerën më të lartë në të paktën 15 vitet e fundit.
Të dhënat e tërthorta, sidomos ato që lidhen me lëvizjen e shtetasve, tregojnë se tendenca e sektorit turistik duket të jetë në rritje edhe këtë vit. Depozitat bankare në euro kanë vazhduar të rriten edhe në muajt e parë të vitit 2022 dhe po bëhen gjithnjë e më dominuese në strukturën e përgjithshme të depozitave bankare. Edhe ky tregues dëshmon një rritje të prurjeve të monedhës europiane në ekonomi.
Një faktor me ndikim në forcimin e lekut kundrejt euros mund të jetë edhe natyra shtrënguese e politikës monetare dhe fiskale në vend. Norma bazë e interesit ka arritur në 3%, nga 0.5% që kishte qenë një vit më parë.
Transmetimi i kësaj rritjeje në tregun financiar ka sjellë një ngadalësim të kreditimit të ekonomisë, sidomos duke filluar nga tremujori i fundit i vitit të kaluar. Nga ana tjetër, edhe deficiti buxhetor vitin e kaluar pësoi rënie me më shumë se 8% krahasuar me një vit më parë, ndërsa për muajin janar buxheti ishte në suficit, me 13.7% më shumë krahasuar me janarin e vitit të kaluar.
Leku i fortë ul çmimin e importeve dhe po luan një rol pozitiv në drejtim të zbutjes së presioneve inflacioniste në ekonomi. Por, nga ana tjetër, forcimi i monedhës vendase ka një ndikim negativ për sektorët eksportues të mallrave dhe shërbimeve./monitor