Projekti për Portin e Durrësit, Vokshi dhe Bylykbashi depozitojnë në Kuvend kërkesën për ngitjen e Komisionit Hetimor

Deputetët demokratë Oerd Bylykbashi dhe Albana Vokshi depozituan në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komision Hetimor, për çështjen e Portit të Durrësit.

Ata thanë për mediat jashtë Kuvendit se ky projekt është një aferë që po zhduk Portin, teksa shtuan se kanë marrë firmat e 35 deputetëve.

Ky numër është i nevojshëm për ngritjen e komisionit hetimor, ndërsa kanë paralajmëruar se do ta padisin për herë të dytë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Grabitja e Portit të Durrësit është afera më kriminale dhe korruptive. Jo vetëm në aspektin ekonomik, jo vetëm si një pronë gjigande por ka shkelur në mënyrë brutale kushtetutën dhe çdo aspekt tjetër. Kjo aferë po zhduk portin më shumë se 2700 vjeçar të Durrësit. Gjithashtu një nyje strategjike ushtarake që Shqipëria vë në dispozicion të aleancës. Me këtë aferë Porti i Durrësit vdes menjëherë.

 

 

Ajo që parashikohet aty do të zhdukë këtë port dhe nuk ka asnjë garanci që porti tjetër do të zhvillohet në të ardhmen. Grabiten miliarda euro që vlen ajo pronë publike. Është cenuar autonomia vendose me të cilën vetëqeveriset Durrës. Është një deformim brutal i barazisë së subjekteve dhe konkurrencës dhe detyrimin për të mos krijuar avantazhe financiare për subjektet. Me këtë kontratë që është firmosur sërish qeveria bën të mundur që investimi që do të bëjë shteti shqiptar do të jetë me humbje.

Qytetarët shqiptarë duhet të investojmë sërish 2 mld euro. I mundësohet investitorit privat që të fitojë me shumëfish në raport me atë që investon. Porti i Durrësit që në vitet e para do të pushojë së ekzistuari dhe do të bëjë të pamundur një zhvillim jo vetëm të qytetit por të gjithë Shqipërisë. Do i drejtohemi me një padi të dytë gjykatës Kushtetuese. Ne do i shkojmë deri në fund. Askush nuk do na bllokojë në hetimin e kësaj afere grabitqare. Do e ndjekim në çdo rrugë”, tha Bylykbashi.

“Kërkoj që Lindita Nikolla të vëjë në lëvizje të gjitha mekanizmat për ngritjen e këtij komisioni”, deklaroi Vokshi.