Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim dhe ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann zhvilluan sot një takim me Komisionerin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Pas përfundimit të takimit nëpërmjet një postimi në Facebook, Celibashi ka zbardhur për mediet bisdën që zhvilloi me dy ambasadoret.
Të lidhura
None found
“Në KQZ sot me ambasadoren e BE, Christiane Hohmann dhe ambasadoren e SHBA Yuri Kim, trajtuam përgatitjet për Zgjedhjet Lokale të 14 Maj2023, keqpërdorimin e burimeve shtetërore për fushatën, ndodhjen e blerjes së votave, transparencën e financimit të zgjedhjeve dhe integritetin e kandidatëve. Ambasadorët Hohmann dhe Kim theksuan se zgjedhjet e 14 majit janë një test i vërtetë për avancimin e demokracisë shqiptare dhe se të gjithë sytë e partnerëve ndërkombëtarë janë drejt tyre.
Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kjo periudhë parazgjedhore e vitit 2023 tregon dyfishim të raportimit të subjekteve shtetërore në KQZ, ndalim të rreth 20 ngjarjeve publike dhe trefishin e numrit të sanksioneve të KQZ-së.
I sigurova ambasadorët Kim & Hohmann se KQZ do të mbetet etikisht e paanshme dhe do të funksionojë vetëm në përputhje me ligjin. I shpreha mirënjohjen time ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-së për mbështetjen e tyre të fortë dhe të vazhdueshme ndaj KQZ.”, shkruan Celibashi.
Yuri Kim është shprehur më herët se është përgjegjësia e qeverisë dhe e udhëheqësve politikë që të sigurohen për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve që janë shprehur nga ODIHR-i në lidhje me zgjedhjet e kaluara. Kjo përfshin edhe krijimin e listave dhe ofrimin e kandidatëve me integritet, sipas diplomates amerikane.
Pritshmëritë e Uashingtonit, theksoi ambasadorja Kim, janë që Shqipëria do të bëjë më të mirën që të sigurojë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet dhe normat ndërkombëtare.
/albeu.com/
