I hodhën në erë makinën, zbardhet dëshmia e mikut të “Rrumit të Shijakut”: Nuk kam konflikte

Aldi Mustafa, objektiv i një sulmi me lëndë plasëse ditën e djeshme në Shkozet, ka thënë në dëshminë e tij se nuk ka dijeni se kush mund tëjetë autori i ngjarjes.

Ndër të tjera, ai ka fajësuar gazetarët që sipas tij i kanë “faturuar” ngjarje me të cilat nuk ka lidhje dhe mohohi të ketë ndonjë konflikt.

“Makinën e kam lënë të parkuar para shtëpisë gjithë natën. Nuk ka qenë makina në servis. Kur e mora makinën në drekë shpërtheu. Nuk e di kush e ka vënë lëndën plasëse. Media me ka ngatërruar keq me akuzat që më thonë. Është faji i gazetarëve që me veshin me ngjarje që nuk kam lidhje. Nuk kam konflikte. Gjejeni ju si polici kush e ka vendosur eksplozivin”, tha ai para oficerëve.

Ndërkohë, në polici janë shoqëruar 8 persona që dyshohet se kanël idhje me ngjarjen.

Aldi Mustafa është arrestuar në vitin 2021 pasi kishte planifikuar atentatin e një personi. Në gusht të vitit 2021 ai u arrestua bashkë me dy persona të tjerë të cilët ishte të armatosur dhe dyshohet se kishin planifikuar atentat ndaj një personi.

Asokohe ai u arrestua bashkë me Uran Zykën dhe Tahir Gjinikën. Në mjetin e tyre policia gjeti 3 pistoleta me fishekë në fole dhe 1 mitraloz me fishekë në fole, gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro. Shoferi i makinës ka qenë Aldi Mustafa.

Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, me vendim të gjykatës i është shuar masa e arrestit me kërkesë të tij. Ai qe dënuar me 2 vjet burgim pas arrestimit në gusht 2021 për mosbindje të urdhrit të policisë, armëmbajtje paleje dhe drejtim të parregullt të mjetit.

Ai ka qenë pjesë e bandave kriminale të Durrësit prej shumë vitesh. Ka miqësi me Aleksandër Lahon, Rrumin e Shijakut.
Aleksandër Laho, mbeti i plagosur në atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoj. I njohur ndryshe me nofkën ‘Rrumi’, emri i Lahos është i njohur për botën e krimit, pas akuzave për rrahjen e biznesmenit libanez Fadi Mitri.

Mustafa rezulton i dënuar më parë në shtetin gjerman me 10 vite burg për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe kanosje. Ndërkohë që edhe Zyka ka qenë i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale./albeu.com


Shtuar 4.04.2023 11:28