Mbledhja e kryesisë së PS u shty që të zhvillohet njëkohësisht me “prime” e BBV? Sherri për kandidatët dhe emrat e “djegur”

Vijon që prej orës 19:00 mbledhja e kryesisë së PS-së për caktimin e emrave që do të kandidojnë nën logon e socialistëve për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Ajo u shty me dy orë për dhe arsyetimi zyrtar për këtë shtyrje ishte agjenda politike e kryeministrit Rama, i cili gjatë paradites së sotme ishte në Vlorë për të shuar sherrin mes bazës dhe deputetëve për kandidatin.

Pas shkuarjes së Ramës atje baza pranoi Ernal Dredhën si kandidat pas një votimi te fshehtë të asamblesë së socialistëve të qytetit.

Ndërkohë, mbledhja e kryesisë në Tiranë pritet të përfundojë gjatë orëve në vijim dhe gjasat janë që emrat e kandidatëve të dalin teksa transmetohet “prime” i Big Brother VIP duke shmangur kështu vëmendjen maksimale të opinionit publik.

Gjithçka duket se ndodh për shkak të rivalitetit të madh në disa bashki, ndërsa në të tjera do të digjen disa emra.

AlbEu.com ka mësuar se disa emra kryebashkiakësh aktualë janë “djegur” prej vetë Ramës apo deputetëve të caktuar në zona për shkaqe të ndryshme, të cilat fillojnë nga ruajtja e balancave së pushtetit mes grupimeve të ndryshme nëpër qarqe deri te marrja e masave për largim para se SPAK të ndërhyjë me hetime apo arrestime për shkak të tenderëve korruptivë.

Elbasani

80-90% e kryebashkiakëve janë rikonfirmuar, ndërsa pritet që në Librazhd të jetë një emër tjetër dhe Kastriot Gurra, i cili është ekspozuar shumë për shkak të tenderëve problematikë që ka firmosur. Gurra mësohet të mos jetë edhe një emër i preferuar i Gjiknurit, krahas problemeve me dokumentet ku ka firmosur.

Mësohet se Taçi i Gramshit do të zëvendësohet me të besuarin e Taulant Ballës, kjo jo për shkak të ecurisë së punës së kryebashkiakut aktual, por si një kompensim ndaj “shkuljes” së ndikimit politik të kreut të Grupit Parlamentar të PS në qarkun e Elbasanit.

Rama ka mësuar tashmë se nuk mund të lerë “pashallëqe” për të emëruarit e tij në qarqe duke e balancuar kështu disi Gjiknurin në Elbasan me një kandidat të Ballës. Kështu balancohet edhe heqja e Gurrës nga Librazhdi, ndërkohë që në Peqin synohet një emër tjetër.

Tosku do të ndërrohet jo vetëm për të kaluar atje një të besuar Aqif Rakipit, por edhe për shkak se është përfolur për tenderët gjatë viteve të fundit.

Vlora

Qarku Vlorë ishte kthyer në një dhimbje koke për Ramën pasi iu desh të përballej me bazën e PS në bashkinë e Vlorës për të imponuar Ermal Dredhën, kurse në Sarandë Adrian Gurma është organizuar për t’ia bërë të vështirë jetën Oltion Çaçit që pritet të konfirmohet nga kryesia e PS-së.

Emra të tjerë priten edhe në Selenicë, ku PD ndihet e fortë si edhe Konispol.

Berati

Juliana Memaj nuk është se ka spikatur në Bashkinë e Dimalit, madje pak javë më parë SPAK kreu një operacion në këtë bashki duke arrestuar disa zyrtarë të bashkisë bashkë me punonjësit e kompanisë Ed Konstruksion për korrupsion. Sigurisht, Rama dhe kryesia e PS nuk do të rrezikonin me një emër të përlyer në tenderë në një zonë të konsideruar hambar të votave socialiste.

Kuçova po ashtu pritet të ketë një emër tjetër që do të marrë bekimin e kryesisë së PS-së nesër.

Dibra

Rama pritet të shkojë me Agron Malajn në Mat, bashki e cila ka marrë shumë investime në infrastrukturë gjatë vitit të fundit, ndërsa Rahim Spahiu i bashkisë së Dibrës duket më shumë një zgjedhje për të kënaqur “të fortët” lokalë se sa një emër që mbart bekimin e Ramës apo të Ballukut, si e dërguar e PS në qark.

Kjo e fundit është pozicionuar fortë në këtë bashki duke ditur problematiket që ka emri i PS në këtë bashki. Spahiu po ashtu është ekspozuar në tenderë problematikë, megjithatë prania e Ballukut në qark e mbron atë, për momentin.

Në Bulqizë nuk ka histori.

Largimi i Lefter Allës ka rritur shanset për një fitore të demokratëve nisur edhe nga fakti se PS pritet të futet me një emër të pakompromentuar për të balancuar disi CV e keqe që shkaktoi arrestimi në krye të detyrës i kryebashkiakut.

Në Klos, PS pritet të rikonfirojë Ilmi Hoxhën përballë Bedri Hoxhës së PD-së. Klosi njihet si zonë e djathtë dhe do të jetë shumë interesante gara.

Durrësi

Thirrja e Bushit të Krujës në SPAK si edhe disa ndryshime në balancat e forcës në zonë bëjnë që Rama dhe kryesia e PS të shkojnë me një emër tjetër në këtë bashki.

Ndërkohë bashkinë e Durrësit Rama ia ka “besuar” sërish Vangjush Dakos, i cili ka emrin e tij aty, Emiriana Sakon. Më herët u përfol edhe emri i Ardian Çelës për këtë bashki, por vullneti i Dakos është ende vendimtar në çështjet e brendshme të PS.

Rama dhe kryesia e PS pritet të dalin me një emër tjetër edhe për Kavajën duke ditur që është një zonë shumë sfiduese për socialistët, ndryshe nga hera e fundit ku fituan pa garë. /albeu.com


Shtuar 25.03.2023 20:50