Partia Socialiste do të mbledhë ditën e sotme Kryesinë për të vulosur përfundimisht emrat e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Mbledhja, e cila supozohej të niste në orën 17:00 është shtyrë me dy orë të tjera për shkak të agjendës së kryeministrit Edi Rama.
AlbEu.com ka mësuar se disa emra kryebashkiakësh aktualë janë “djegur” prej vetë Ramës apo deputetëve të caktuar në zona për shkaqe të ndryshme, të cilat fillojnë nga ruajtja e balancave së pushtetit mes grupimeve të ndryshme nëpër qarqe deri te marrja e masave për largim para se SPAK të ndërhyjë me hetime apo arrestime për shkak të tenderëve korruptivë.
Elbasani
80-90% e kryebashkiakëve janë rikonfirmuar, ndërsa pritet që në Librazhd të jetë një emër tjetër dhe Kastriot Gurra, i cili është ekspozuar shumë për shkak të tenderëve problematikë që ka firmosur. Gurra mësohet të mos jetë edhe një emër i preferuar i Gjiknurit, krahas problemeve me dokumentet ku ka firmosur.
Mësohet se Taçi i Gramshit do të zëvendësohet me të besuarin e Taulant Ballës, kjo jo për shkak të ecurisë së punës së kryebashkiakut aktual, por si një kompensim ndaj “shkuljes” së ndikimit politik të kreut të Grupit Parlamentar të PS në qarkun e Elbasanit.
Rama ka mësuar tashmë se nuk mund të lerë “pashallëqe” për të emëruarit e tij në qarqe duke e balancuar kështu disi Gjiknurin në Elbasan me një kandidat të Ballës. Kështu balancohet edhe heqja e Gurrës nga Librazhdi, ndërkohë që në Peqin synohet një emër tjetër.
Tosku do të ndërrohet jo vetëm për të kaluar atje një të besuar Aqif Rakipit, por edhe për shkak se është përfolur për tenderët gjatë viteve të fundit.
Vlora
Qarku Vlorë është një dhimbje koke për Ramën pasi duhet të përballet me bazën e PS në bashkinë e Vlorës për të imponuar Ermal Dredhën, kurse në Sarandë Adrian Gurma është organizuar për t’ia bërë të vështirë jetën Oltion Çaçit që pritet të konfirmohet nesër nga kryesia e PS-së.
Emra të tjerë priten edhe në Selenicë, ku PD ndihet e fortë si edhe Konispol.
Berati
Juliana Memaj nuk është se ka spikatur në Bashkinë e Dimalit, madje pak javë më parë SPAK kreu një operacion në këtë bashki duke arrestuar disa zyrtarë të bashkisë bashkë me punonjësit e kompanisë Ed Konstruksion për korrupsion. Sigurisht, Rama dhe kryesia e PS nuk do të rrezikonin me një emër të përlyer në tenderë në një zonë të konsideruar hambar të votave socialiste.
Kuçova po ashtu pritet të ketë një emër tjetër që do të marrë bekimin e kryesisë së PS-së nesër.
Dibra
Rama pritet të shkojë me Agron Malajn në Mat, bashki e cila ka marrë shumë investime në infrastrukturë gjatë vitit të fundit, ndërsa Rahim Spahiu i bashkisë së Dibrës duket më shumë një zgjedhje për të kënaqur “të fortët” lokalë se sa një emër që mbart bekimin e Ramës apo të Ballukut, si e dërguar e PS në qark.
Kjo e fundit është pozicionuar fortë në këtë bashki duke ditur problematiket që ka emri i PS në këtë bashki. Spahiu po ashtu është ekspozuar në tenderë problematikë, megjithatë prania e Ballukut në qark e mbron atë, për momentin.
Në Bulqizë nuk ka histori.
Largimi i Lefter Allës ka rritur shanset për një fitore të demokratëve nisur edhe nga fakti se PS pritet të futet me një emër të pakompromentuar për të balancuar disi CV e keqe që shkaktoi arrestimi në krye të detyrës i kryebashkiakut.
Në Klos, PS pritet të rikonfirojë Ilmi Hoxhën përballë Bedri Hoxhës së PD-së. Klosi njihet si zonë e djathtë dhe do të jetë shumë interesante gara.
Durrësi
Thirrja e Bushit të Krujës në SPAK si edhe disa ndryshime në balancat e forcës në zonë bëjnë që Rama dhe kryesia e PS të shkojnë me një emër tjetër në këtë bashki.
Ndërkohë bashkinë e Durrësit Rama ia ka “besuar” sërish Vangjush Dakos, i cili ka emrin e tij aty, Emiriana Sakon. Më herët u përfol edhe emri i Ardian Çelës për këtë bashki, por vullneti i Dakos është ende vendimtar në çështjet e brendshme të PS.
Rama dhe kryesia e PS pritet të dalin me një emër tjetër edhe për Kavajën duke ditur që është një zonë shumë sfiduese për socialistët, ndryshe nga hera e fundit ku fituan pa garë. /albeu.com