Do të grabisnin biznesmenin në Lushnje, policia parandalon krimin, tre në kërkim

 

Policia e Lushnjës ka parandaluar një vjedhje me armë në Lushnje.

Tre persona kishin planifikuar të kryenin një vjedhje në banesën e një biznesmeni në Lushnjë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, bazuar në inteligjencën informative se disa shtetas që qarkullonin me një automjet kishin planifikuar të kryenin vjedhje me armë në një banesë, në rrethin e Lushnjës, kanë organizuar punën për parandalimin e vjedhjes, kapjen dhe arrestimin e autorëve.

Në vendin e quajtur “Rotondo e Çermës”, punonjësit e Policisë kanë lokalizuar automjetin e dyshuar dhe i kanë bërë shenjë për të ndaluar, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe ka shtuar shpejtësinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në rrugë, për të ndaluar këtë automjet.

Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të automjetit tip “Benz” i cili po lëvizte me shumë shpejtësi në drejtim të fshatrave të Peqinit. Për shkak të shpejtësisë së madhe, automjeti ka dalë nga rruga dhe tre shtetasit që udhëtonin në automjet e kanë braktisur atë dhe kanë mundur të largohen, duke përfituar nga errësira.

Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi municioni luftarak.

Në kuadër të operacionit policor të koduar  “Parandalimi” u bë shpallja në kërkim e tre autorëve për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Bëhet fjalë për shtetasit Renato Çala, Florenc Tatoshi dhe Bukurosh Mukja.

Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e disa vjedhjeve të kryera nga këta shtetas, në rrethin Lushnjë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com/.