Kapja e kokainës në Kosovë, Çuçi paralajmëron operacione të tjera

Lidhur me sekuestrimin e 400 kg kokainë në Kosovë, ka reaguar dhe ministri i Brendshëm, në vendin tonë Bledi Çuçi.

Sipas Çuçit, kjo është një luftë e vazhdueshme, që do të pasohet nga operacione të tjera.

Përmes një njoftimi për mediat, Çuçi thekson se goditja e kontrolluar e grupit kriminal që tentoi të trafikonte rreth 400 kg lëndë narkotike e llojit kokainë në Kosovë, është një tjetër dëshmi e suksesit të luftës së përbashkët kundër trafikut të drogës dhe provë e besimit të lartë të partnerëve te Policia e Shtetit.

Ministri i Brendshëm nënvizon se hetimi profesional dhe intensiv mes disa shteteve na çoi në shkatërrimin e një rrjeti të fuqishëm në fushën e narkotikëve.

“Kjo është një luftë e vazhdueshme, që do të pasohet nga operacione të tjera dhe goditje si kjo e fundit, për ta bërë Shqipërinë dhe rajonin një vend më të sigurt”, citohet nga mesazhi i tij.

Reagimi i ministrit Bledi Çuçi

Goditja e kontrolluar e grupit kriminal që tentoi të trafikonte rreth 400 kg lëndë narkotike e llojit kokainë në Kosovë, është një tjetër dëshmi e suksesit të luftës së përbashkët kundër trafikut të drogës dhe provë e besimit të lartë të partnerëve te Policia e Shtetit. Hetimi profesional dhe intensiv mes disa shteteve na çoi në shkatërrimin e një rrjeti të fuqishëm në fushën e narkotikëve. Kjo është një luftë e vazhdueshme, që do të pasohet nga operacione të tjera dhe goditje si kjo e fundit, për ta bërë Shqipërinë dhe rajonin një vend më të sigurt.

Kujtojmë se autoritetet shqiptare kishin dy muaj që prisnin këtë ngarkesë pasi u sinjalizuan nga partnerët ndërkombëtarë.

Me të mbërritur konteineri në Durrës, policia shqiptare ka konstatuar drogën, por nuk ka ndërhyrë duke e lejuar që të kryeshin procedurat për të zbuluar se cili do të ishte destinacioni final i tij.

Pasi kanë kryer procedurat, autoritetet e kanë ndjekur kamionin me konteinerin sipër, i cili është nisur për në Kosovë. Në këtë moment është njoftuar edhe policia e Kosovës, e cila ka ndërhyrë duke bërë edhe sekuestrimin e sasisë së madhe të drogës në Lipjan.

Ndërkohë që jo më larg se 1 muaj më parë, në Portin e Durrësit u kapën dy ngarkesa me kokainë; në njërën prej tyre u arrestua edhe babai i Arbër Çekajt, edhe ky i fundit i arrestuar për trafik kokaine.

Rruga është e njohur tashmë, droga kalon përmes konteinerëve me banane nga Amerika e Jugut në Shqipëri e më pas transportohet drejt Evropës, ku është edhe tregu më i madh i shpërndarjes

 


Shtuar 17.05.2021 21:30