Lista Serbe nuk aplikon për pjesëmarrje në zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë, ka thënë të mërkurën se asnjë subjekt politik nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Këto zgjedhje janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Atëbotë, për zgjedhjet në veri kanë aplikuar 11 kandidatë, të cilëve u ka vlejtur certifikimi edhe për zgjedhjet e prillit.

Sipas njohësve të çështjeve politike, mosaplikimi i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – në këto zgjedhje, e rrezikon mbarëvajtjen e gjithë procesit.

Lista Serbe – e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka rikonfirmuar më 20 mars se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do ta mbajë këtë qëndrim derisa t’i përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Çështja e formimit të Asociacionit duhet të zgjidhet me Marrëveshjen drejt normalizimit, të mbështetur nga BE-ja, të cilën e kanë pranuar edhe Kosova, edhe Serbia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 21 mars se “do të duhet të merremi me atë formulim sa i përket vetëmenaxhimit për komunitetin serb”.

Vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë është paraparë me Marrëveshjen drejt normalizimit, por ende nuk dihet se për çfarë saktësisht bëhet fjalë.

Për Asociacionin, ndërkaq, Kosova dhe Serbia janë pajtuar në vitin 2013. Ai parasheh që serbët e Kosovës të kenë “juridiksion të plotë” në fusha të caktuara, si: planifikimi hapësinor, shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e kështu me radhë.

Kurti, në disa raste, ka përsëritur se Kosova nuk mund të lejojë formimin e asociacioneve njëetnike, sepse, sipas tij, të tillat rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 18 mars në Ohër, ka thënë se zgjedhjet në veri mund të shtyhen për në qershor.

“Nuk do të flas në emër të Listës Serbe. Thjesht, duhet të flas me ata njerëz. Duhet të shoh nëse [zgjedhjet] duhet të mbahen tani apo në qershor, do të shohim”, ka thënë Vuçiç.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar.

Dorëheqjet e tyre, si dhe dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë qenë shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Prej vitit 2013, kur është formuar kjo parti, ajo ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.

Mirëpo, misioni vëzhgues i BE-së rregullisht përmend nëpër raporte se, Lista Serbe e ka “monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës”./rel


Shtuar 22.03.2023 18:26