“Tapë” në timon, arrestohet ish-drejtori i Doganës së Fierit që përplasi këmbësoren në Vlorë

Ish-drejtori i Doganës në Fier, Arlind Lagji është vënë në prangat e policisë një ditë pas aksidentit të rëndë në “Transballkaniken” e qytetit të Vlorës.

Policia bën me dije se Lagji ka qenë në gjendje të dehur në timon, kur përplasi një 66-vjeçare dhe më pas goditi një makinë tjetër.

Ai braktisi mjetin që po drejtonte dhe u largua nga vendngjarja pas aksidentit të rëndë.

Njoftimi i policisë

Aksidentoi një këmbësore, me automjetin që e drejtonte në gjendje të dehur, u largua nga vendi i ngjarjes dhe më pas përplasi një automjet, vihet në pranga 46-vjeçari.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 46 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor“ dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Ky shtetas, ditën e djeshme, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, në gjendje të dehur, në rrugën “Gjergj Kastrioti”, ka aksidentuar shtetasen I. S., 66 vjeçe, banuese në Vlorë, është larguar nga vendi i aksidentit dhe ka vijuar lëvizjen, në këtë aks rrugor, ku më pas ka përplasur automjetin tip “Peugeot” me drejtues shtetasin B. C., 63 vjeç, banues në Vlorë.

Shtetasja I. S. dhe shtetasi B. C. ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

vijon

 


Shtuar 21.03.2023 13:36