Tenderët e zhvilluar në sektorin e shëndetësisë dhe infrastrukturës janë kryesisht me shifra të mëdha, prandaj edhe kërkojnë një kujdes të veçante nga autoritetet kontraktuese me qëllin menaxhimin e mirë të parave publike duke nxitur konkurrencën mes kompanive private që kërkojnë të fitojnë kontratën, por edhe kursimin e sa më shumë parave duke marrë një shërbim cilësor.
Pavarësisht se kjo është ajo që çdo drejtues institucioni ofertues duhet të ketë ndërmend kur zgjedh një fitues, duket se drejtuesit e spitaleve as që degjojnë nga ky vesh.
AlbEu.com denoncoi pak ditë më parë një tender me “flamur të kuq” në Vlorë, ku ishin përlarë 840 milionë lekë nga taksat e qytetarëve pa zhvilluar asnjë garë me njeri-tjetrin, ndërsa sot ndalemi në Fieri.
Spitali Rajonal i Fierit ka zhvilluar një tender me vlerë rreth 240 milionë lekë të vjetra me TVSH me objekt blerjen e “Materiale mjekimi konsumi dhe kirurgjikale per nevoja spitalore”.
Në fund të procedurës së firmosur nga drejtoresha Nevila Shuke, fitues i tenderit shpallet kompania OES Distrimed SHPK me pronarë Orjada Jahon dhe Ermal Rizajn.
Kjo kompani spikat në marrjen e tenderëve pa garë nëpër spitalet shqiptare krahas “Montalit” të Skënder Lusit dhe “Biometric Albania” të Artur Kadaresë.
Duket se disa kompani zhvillojnë një “valle” me taksat e qytetarëve shqiptarë duke mos i “prishur” pazarin njeri-tjetrit në kurriz të fondeve publike, ndërsa fituesi më pas duhet të “merret vesh” me atë që firmos në fund kontratën.
Le të rikthehemi të tenderi i Fierit.
Spitali Rajonal i Fierit ka shpallur një fond limit 19 922 668,00 lekë (të reja pa TVSH). Në këtë tender, edhe pse relativisht i madh dhe që nuk do ndonjë ekspertizë për plotësimin e kushteve të prokuruesit, ka marrë pjesë vetëm një kompani, pikërisht ajo Jahos dhe Rizajt duke e ofruar një çmim 19 875 090,00 lekë (të reja pa TVSH) ose rreth 240 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Praktikisht, i bie që kompania OES Distrimed SHPK e ka fituar këtë tender jo vetëm pa garë, por edhe me gati 100% të vlerës së fondit limit.
Duket e çuditshme dhe shumë e guximshme nga ata që marrin dhe ata që firmosin tenderë të tillë, por një realitet në Shqipërinë e vitit 2023.
Jo më kot, Open Procurement Albania e ka shpallur këtë tender “me flamur” të kuq për shkak të mungesës së theksuar të konkurrencës, gjë e cila ka bërë që fituesi të marrë kontratën me gati 100% të fondit limit.
Ky nuk është rasti i vetëm, është një fenomen që po ndodh rëndom nëpër spitalet dhe bashkitë e Shqipërisë, ndërkohë që autoritetet përgjegjëse heshtin teksa fondet publike shpërdorohen në një nivel të tillë. /albeu.com