Nga Ed Wight “Daily Mail”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Ndërsa ushtrohet me një armë ngjyrë ari në një poligon stërvitor në periferinë e kryeqytetit polak,Varshavë, Julia Paszek thotë se është gati të mbrojë “me çdo kusht Poloninë”.
Duke e pranuar se pistoleta gjysmë automatike ‘Desert Eagle’ është “pak shumë e rëndë”, analistja e buzëqeshur i sigurimeve deklaron për MailOnline: “Unë nuk jam një ushtare. Por nga ana tjetër nuk dua të jem as spektatore apo një viktimë e pafuqishme për të mbrojtur veten”.
33-vjeçarja shton: “Jam gati të bëj atë që duhet të bëj. Dua me çdo kusht ta mbroj Poloninë nga planet djallëzore të Putinit”. Ndërsa vazhdon lufta e përgjakshme në Ukrainë, përtej kufirit, Julia është vetëm një nga mijëra polakë që po pajisen më armë zjarri.
Duke e parë veten si një “shtet të vijës së parë të frontit të aleancës”, qytetarët polakë po përgatiten për “skenarin më të keq” duke blerë armë në masë dhe duke u trajnuar se si t`i përdorin ato. Edhe pse ende ka numrin më të ulët të armëve për frymë në Evropë, mbi 250.000 njerëz në Poloni kanë tani një licencë për armë zjarri.
Vitin e kaluar u vu re një rritje prej 37.000 krahasuar me vitin 2021. Për pasojë, poligonet e qitjes kanë raportuar një bum në aktivitetin e tyre, teksa një numër i paprecedentë njerëzish po vërshojnë në to për të mprehur aftësitë e tyre të gjuajtjes. Një çift rreth të 20-ve, që është pajisur kohët e fundit me armë tha: “Ne donim të vinim dhe të zbulonim se si është të gjuash me armë. Nga njëra anë është e lezetshme. Por nga ana tjetër është pak e frikshme.”
Një tjetër polak i quajtur Marcin thotë: “Kur pashë se çfarë ndodhi më 24 shkurt 2022 në Ukrainë, mendova me vete se jam plotësisht i papërgatitur nëse diçka e tillë do të ndodhte në Poloni. Ndaj është më mirë të jemi të përgatitur sepse askush nga ne nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.
Piotr Mioduchowski, pronari i poligonit “PM Shooters” në Varshavë, deklaroi për The First News Website: “Përpara fillimit të luftës në Ukrainë, kishim rreth 35 aplikime në ditë nga njerëz. Tani kemi mbi 200. Në fundjavë, jemi plotësisht të rezervuar”.
Ai shtoi: “Njerëzit janë të shqetësuar se Rusia do të mësyjë në Poloni përmes Ukrainës. Për këtë arsye shumë njerëz janë të interesuar se si të pajisen me një leje për zotërimin e një arme zjarri, ose thjesht duan që të mësojnë bazat se si të gjuajnë me armë”.
Ky është një mendim që i bën jehonë edhe Paweł Dyngosz, president i një shoqate që drejton një numër poligonesh qitje në mbarë Poloninë. Ai tha: “Para luftës, ne trajnonim disa dhjetëra njerëz në ditë në poligonet tona. Tani ky numër arrin në 300 njerëz në ditë”.
Në një poligon tjetër qitje që gjendet në një ish-fabrikë makinash në periferi të Varshavës, dentisti 40-vjeçar Pawel thotë: “Kjo është luftë. Unë kam një grua dhe një djalë. Ndaj duhet të mësoj përdorimin e armës.” Me një kërkesë kaq të lartë, poligoneve të qitjes dhe dyqaneve të armëve po u mbarojnë rregullisht municionet.
Instruktorja Paulina Ptaszyńska shprehet: “Profili i njerëzve që aplikojnë për leje armësh ka ndryshuar. Para luftës, qitja me armë ishte si një lloj hobi. Sot është shumë më tepër një nevojë për të fituar aftësi në përdorimin e armëve të zjarrit”.
Në përgjigje të kërkesës së shtuar, Ptaszyńska po planifikon që të japë leskione mbi armët në shkolla. Duke propozuar mësime që duhet të zgjasin të paktën një semestër ajo thotë: “Besoj se qitja sportive është diçka shumë pozitive për fëmijët. Në programin e edukimit për sigurinë, fëmijëve u jepet mundësia të qëllojnë me një armë të vërtetë.
Është për të ardhur keq që gjatë këtyre orëve mësimore, vetëm një orë në semestër është e rezervuar për të dhënat mbi armët. Është shumë pak. Procesi i të shtënës me armë përbëhet nga tre elementë. E para është njohja e teknikave. Elementi i dytë është praktikimi i teknikave në mënyrë që trupi dhe muskujt tanë të punojnë automatikisht.
Dhe faza e tretë është gjuajtja me municion të vërtetë. Ajo nuk është aftësia për të realizuar një goditje me armë, por për t’u trajnuar psikologjikisht”. Në ceremoninë e përurimit të poligonit të qitjes në një shkollë të mesme në qytetin jugor të Myszkow vitin e kaluar, kryeministri polak Mateusz Morawiecki tha ndër të tjera: “Nëse Rusia duhet të mendojë ndonjëherë të sulmojë Poloninë, duhet të dijë se 40 milionë polakë janë gati të ngrihen me armë në dorë për të mbrojtur atdheun e tyre.”
Ndërkohë shumë kompani shtetërore kanë filluar të ofrojnë trajnime ushtarake për stafin e tyre. Rreth 5.000 punonjës të kompanisë së naftës dhe gazit PGNiG do të trajnohen për të përmirësuar aftësitë e mbrojtjes dhe menaxhimit të krizave, duke përfshirë sigurinë kibernetike dhe klasat e ndihmës së parë.
Po ashtu stafi mund të ketë marrë pjesë në kurse për përdorimin e armëve.
Ndërkaq, forcat e armatosura të Polonisë kanë përjetuar një shtim të numrit të rekrutëve të rinj. Vitin e kaluar u regjistruan rreth 14.000 rekrutë të rinj, numri më i lartë që nga heqja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në vitin 2008.
Në janar të këtij viti, Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Błaszczak tha: “Kjo është vetëm faza e parë, sepse këtë vit fushata jonë “Bëhu një ushtar i Polonisë” do të jetë akoma më e gjerë. Përveç kësaj, forcat e mbrojtjes territoriale të Polonisë kanë raportuar një rritje me 7 herë të rekrutëve.
Duke angazhuar rekrutët e rinj në stërvitje me armë të vërteta në një pyll në periferi të kryeqytetit Varshavës, nënkoloneli 40-vjeçar Pawel Pinkowski, komandant i një kompanie dhe veteran i luftërave në Irak dhe Afganistan deklaroi: “Ata duan të mbrojnë veten, familjet dhe atdheun e tyre. Situata në Ukrainë ka treguar se është më mirë të jesh i përgatitur.” /albeu.com