U arrestua se ishte i dehur në timon, lirohet nga qelia deputeti i ardhshëm i PD-së: Jam në shtëpi! Gëzuar ditën e Verës

Deputeti i ardhshëm demokrat i cili pritet të zvëndësojë Luçiano Boçin në Kuvend, Qani Xhafa, ka reaguar pas lajmeve për arrestimin e tij pasi u aksidentua teksa drejtonte mjetin e tij në gjendje të dehur.

Përmes një postimi në “Facebook”, Xhafa bën me dije se ndodhet në shtëpi dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Mirëmbrëma të gjithëve! Duke marrë shkas nga lajmet që qarkullojnë në portale dhe nga mesazhet që më keni dërguar Ju informoj se ndodhem në shtëpi dhe në gjendje të mirë shëndetësore!

Ju falenderoj për interesimin dhe Ju uroj gjithashtu Gëzuar Ditën e Verës !”, shkruan ai.

Pasditen e sotme në media u bë publik lajmi se gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës Qani Xhafa u aksidentua në bulevardin “Qemal Stafa” në Elbasan, ndërkohë menjëherë pas aksidentit ai u vu në prangat e policisë pasi rezultoi se po i jepte mjetit në gjendje të dehur.

Qani Xhafa kandidoi për PD-në në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 në qytetin e Elbasanit ku ishte i renditur i 8 në listë, pas Luçiano Boçit.

Gjithashtu, Xhafa do të bëhet deputet pasi Luçiano Boçi do të lërë mandatin për shkak se do të garojë për kryetar bashkie në Elbasan në zgjedhjet vendore të 14 majit./albeu.com/


Shtuar 13.03.2023 21:52