Shqiptarët gjejnë mënyrën e re për në Angli, “The Sun”: Lënë gomonet dhe marrin skafet, rruga për 45 minuta

Qeveria britanike ka paralajmëruar masa të forta për emigracionin e paligjshëm, deri në një projektligj që thuajse do t’i barazonte me zero mundësitë për azil nga ata që tentojnë ishullin.

Me këtë qëllim pritet që kryeministri britanik Rishi Sunak të takohet me homologun francez Emmanuel Macron dhe fokusi do të jetë kontrolli i brigjeve jugore të Francës.

Mendohet se kontrolli ka të bëjë kryesisht me trafikantët shqiptarë, të cilët nuk janë ndaluar në rrugën e tyre me gomone drejt Britanisë së Madhe dhe tashmë propozojnë një tjetër mënyrë për të dalë në bregun tjetër.

Ata kanë filluar të reklamojnë rrugën me skaf, e cila sipas tyre bëhet vetëm për 45 minuta.

Për këtë “risi” shkruan edhe media britanike “The Sun”, e cila vë në dukje se këto reklama bëhen në rrjete sociale si TikTok.

Teksa masat e dy qeverive shtrëngohen çdo ditë e më shumë për gomonet e emigrantëve të paligjshëm, këta të fundit kanë një taktikë të re, skafet. Skafet po përdorën teksa Franca po investon miliarda euro çdo vit për të ndihmuar në rregullimin e politikave të emigrantëve të paligjshëm. Në një video ‘reklamë’ të publikuar në “TikTok”, tregohet anija pranë bregut me pasagjerë dhe ‘premtohet’ që udhëtimi do të zgjasë deri në 45 minuta”, shkruan The Sun.

Media britanike vijon duke thënë se një total prej 45,755 azilkërkuesish kaluan Kanalin me anije të vogla vitin e kaluar, me gati gjysma nga Shqipëria dhe Afganistani. Ndërkohë, Forcat Kufitare kanë kontrollin operacional të Kanalit për të frenuar kalimet, me drone, varka, radarë dhe kamera të reja që përdoren për të gjurmuar anijet në ujë dhe për të identifikuar ata që i pilotojnë ato.

“Bandat kriminale janë të etura për t’iu shmangur autoriteteve. Krahas masave të reja të shpallura nga kryeministri, Forca jonë Kufitare dhe operacioni i përbashkët që punon me Francën duhet të përmirësojë lojën e saj dhe të qëndrojë një hap përpara.

Shansi më i mirë që kemi për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë efektive është ndalimi i anijeve që largohen nga Franca në radhë të parë. Autoritetet duhet të jenë vigjilente ndaj këtij kërcënimi të ri dhe të çmontojnë bandat e mjerueshme që qëndrojnë pas tij”, është shprehur deputeti konservator Scott Benton.

“Duke udhëtuar me varka më të mëdha dhe më të forta, shqetësimi është se ata mund të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar përtej rrugëve të zakonshme, duke e bërë edhe më të vështirë zbulimin”, tha Alp Mehmet, kryetar i Migracionit në Mbretërinë e Bashkuar.

“Postimet që promovojnë rrugë të paligjshme për në Mbretërinë e Bashkuar po vënë në rrezik jetën e njerëzve të cenueshëm dhe po financojnë bandat e liga kriminale”, tha një zëdhënës i qeverisë.

“Ligji i Migracionit të Paligjshëm do të ndryshojë ligjin në mënyrë që njerëzit që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht të mund të ndalohen dhe më pas të kthehen me shpejtësi në një vend të tretë të sigurt ose në vendin e tyre të origjinës”, janë këto paralajmërimet që vijnë nga Britania për emigrantët.

Kryeministri Rishi Sunak do të udhëtojë për në Paris për të takuar Presidentin francez Emmanuel Macron, i cili do të kërkojë që të rriten inspektimet në plazhet pranë pikave të kalimit Calais dhe Dunkirk. Sunak zbuloi këtë javë Projektligjin e tij për Migracionin Ilegal, i cili synon të ndalojë emigrantët të kërkojnë azil ose të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar nëse mbërrijnë ilegalisht. /albeu.com

 


Shtuar 10.03.2023 11:18