Pse Rusia do ta humbasë luftën

Nga Jan Kallberg “Center for European Policy Analysis

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në epokën industriale të mesit të shekullit XX-të, manjatët u bënë të tillë pasi ata panë tablonë e madhe, dhe kishin mundësi që të vlerësonin mundësitë dhe rreziqet. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Suedia qëndroi neutrale, manjatët industrialë dhe vëllezërit Marcus dhe Jacob Wallenberg i ri-orientuan bizneset e tyre, duke vepruar njëherazi si emisarë zyrtarë të tregtisë.

Ata kishin shëtitur botën dhe e kuptonin shumë mirë dinamikën themelore të tregtisë dhe industrisë botërore. Jacob negocioi me gjermanët ndërsa Marcus me aleatët. Familja Wallenberg ka qenë familja kryesore industrialiste suedeze për më shumë se 100 vjet. Wallenberg-u më i famshëm, diplomati Raoul Wallenberg që u vra nga rusët, vinte nga rrethi i jashtëm i kësaj familjeje të shquar. Po ditën që Rajhu Gjerman i shpalli luftë Shteteve të Bashkuara, Marcus Wallenberg arriti në përfundimin se lufta kishte mbaruar dhe filloi të bënte plane bazuar në këtë premisë.

Pse? Sepse ai kishte udhëtuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara. Kishte vizituar fabrikat e prodhimit, kantiere detare dhe linja prodhimi të avionëve në të gjithë vendin. Një vit përpara se El Alamein dhe Stalingrad të rezultonin pak më vonë të ishin pika kthese të Luftës së Dytë Botërore, dhe tre vjet e gjysmë përpara fitores përfundimtare të Aleatëve, ai kuptoi se Gjermania nuk kishte asnjë shans për të fituar nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin plotësisht të përkushtuara në anën e aleatëve.

Ekonomia amerikane dhe aftësia për të prodhuar pajisje ushtarake, armë, anije dhe aeroplanë, do të çonin përfundimisht në fitoren e Aleatëve mbi Gjermaninë. Ajo ishte vetëm çështje kohe. Ekonomia amerikane do ta kalonte atë të Gjermanisë. Mund t’i duhej 1, 2 ose 5 vjet, por kjo gjë do të ndodhte.

Gjermanisë do t’i mbaronin burimet, pasi shkalla e rimbushjes së tyre nuk do të vazhdonte me ritmin e humbjeve dhe materialit të konsumuar. Pikëpamjet e Marcus Wallenberg u ndanë edhe nga Winston Churchill, që kur Gjermania nisi pushtimin e Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941, dhe kur arriti në përfundimin se Gjermania nuk kishte më forcë për të pushtuar Britaninë.

Dhe pasi Gjermania i shpalli luftë Shteteve të Bashkuara 6 muaj më vonë, e kuptoi se forcat aleate do të fitonin. Fuqia e strukturës amerikane të prodhimit do ta detyronte Gjermaninë të dorëzohej. Për të parafrazuar një të vërtetë politike nga një epokë të mëvonshme: gjithçka ka të bëjë me ekonominë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, britanikët të pajisur më lëndë të para amerikane, dhe vetë amerikanët ndërtuan shumë më tepër destrojerë, avionë dhe tanke sesa humbën në fushën e betejës. Thënë thjesht, nëse forcat aleate humbnin 10 avionë, ato prodhonin 20 avionë të rinj.

Ndërkohë nëse gjermanët humbnin 10 avionë, ata mund të ndërtonin vetëm 5 si zëvendësim. Është kjo arsyeja pse Gjermania humbi, prandaj edhe Rusia do të ketë të njëjtin fat. Pyetja është se sa kohë do të zgjasë lufta e saj. Sipas shkencëtarit islandez të të dhënave Ragnar Bjartur, mbi gjysma e të gjithë tankeve ruse të humbura në janar të këtij viti në fushën e betejës, ishin prodhuar para vitit 1991. Këto tanke janë prodhime sovjetike të nxjerra nga magazinimi i tyre afatgjatë. Megjithatë këto stoqe nuk do të jenë aty përgjithmonë.

Për më tepër, mobilizimi rus i shton problemet, pasi njësitë e sapo-mobilizuara kërkojnë pajisje që në fakt nuk ekzistojnë. Në mediat sociale ruse po flitet tashmë për regjimentet e artilerisë në letër që nuk janë të pajisura me armë.

Sa i përket shpenzimeve ushtarake, shifrat tregojnë se shtetet anëtare evropiane të NATO-s shpenzojnë 5.75 herë më shumë për mbrojtje sesa Rusia (276 miliardë dollarë krahasuar me vetëm 48 miliardë dollarë.) Por me shpejtësi do të rriten jo vetëm shifrat e aleancës, por këtu nuk po marrim parasysh Kanadanë apo buxhetin e madh të mbrojtjes që ka SHBA-ja.

Edhe Rusia po i rrit shpenzimet ushtarake, por ekonomia e saj anemike thjesht nuk mund të konkurrojë me atë të Perëndimit. Nëse e krahason ekonominë e Rusisë me atë të vendeve të NATO-s, mbështetur në barazinë e fuqisë blerëse, raporti është i madh 1:10.

Ndërkohë edhe vendet jo anëtare të NATO-s – si për shembull Australia, Japonia, Suedia dhe Finlanda – e mbështesin Ukrainën. Për më tepër, Rusia është vendosur nën sanksione të rënda, dhe ka të paktën 300 miliardë dollarë asete ndërkombëtare të ngrira.

Lufta e Ukrainës ka hyrë në vitin e saj të dytë; një luftë për të cilën në fillim shumë pak njerëz besuan se do të zgjaste më shumë se sa disa javë. Fakti që Ukraina vazhdon të luftojë nuk e ka shpëtuar vetëm atë; por ka bërë që Rusisë t’i mungojnë forca për të kërcënuar (ose sulmuar) shtetet baltike, Moldavinë, Rumaninë dhe fqinjët e tjerë.

Vladimir Putin ka dështuar të pushtojë, aneksojë dhe nënshtrojë Ukrainën. Fëmijët atje lexojnë ende libra në gjuhën ukrainase. Dominon narrativa historike ukrainase dhe liritë e Ukrainës ekzistojnë ende, të paktën për ata që ndodhen jashtë zonave të pushtuara nga rusët.

Siç shihet tashmë, ushtria ruse po përpiqet që të krijojë formacione të reja luftarake, ku të mobilizuarve u jepen pajisje të viteve 1980, me standarde teknike më të ulëta dhe që janë krejtësisht inferiorë në krahasim me forcën pushtuese fillestare të 24 shkurtit 2022.

Por nuk do të ketë një ofensivë ruse në shkallë të gjerë. Ekonomia ruse nga Kaliningradi në Sakhalin është më e vogël se ekonomia italiane në aspektin e PBB-së. Pagat në ushtrinë ruse janë më të ulëta se ato të NATO. Por avionët luftarakë do të kushtojnë njësoj për Rusinë, Italinë apo këdo që i blen ato, sepse teknologjia është gjithnjë e më e kushtueshme.

Në rast se një avion kushton 30 milionë dollarë, kostot e pilotit dhe ekuipazhit mbështetës në tokë nuk kanë rëndësi; ato janë dytësore. Regjimi i Putinit nuk mund ta fitojë këtë luftë, por mund të vërë në rrezik të ardhmen e tij. Sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më shumë rriten shanset për ndryshimin e regjimit. Sidoqoftë, media ruse po i bie daulles për një luftë të gjatë, duke e përgatitur popullsinë për standarde më të ulëta jetese, për mungesa në treg dhe për vështirësi gjatë viteve të ardhshme. Dhe sigurisht për më shumë viktima të tjera nga ushtria ruse.

Për rusët që dyshojnë sadopak tek propaganda shtetërore, tanimë do të jetë e qartë se kostot ekonomike të financimit të një lufte me një kapacitet shumë të vogël prodhues janë vërtet të mëdha. Ekonomia e vogël ruse është tashmë e dukshme për ushtarët në vijën e frontit. Ky fakt është bërë më se i qartë nga problemet e vazhdueshme logjistike si dhe nga konkurrenca e përkeqësuar në fushën e betejës, nga pajisjet më të vjetra dhe nga mungesa e vazhdueshme e predhave të artilerisë.

Ofensivat e vazhdueshme të ushtrisë mund të garantojnë vetëm një rritje të viktimave në radhët e saj, përtej 200.000 që janë regjistruar tashmë. Një ushtri më e madhe ruse në

Ukrainë vetëm sa do ta përkeqësojë krizën logjistike.

Në horizont nuk shihet asnjë lloj fitoreje ruse. Rezultati është i qartë. Tashmë duhet të pyesim, cilat janë ngjarjet që do të na çojnë në destinacionin përfundimtar? Ashtu si Marcus Wallenberg, ne duhet të nxjerrim përfundimet tona dhe t’i planifikojmë gjërat në përputhje me rrethanat.   /albeu.com

Shënim:Jan Kallberg, asistent/profesor në Departamentin e Shkencave Matematikore në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara.


Shtuar 8.03.2023 10:31