Kina nuk e braktis qëllimin e “ribashkimit paqësor” me Tajvanin

Kryeministri kinez Li Keqiang  theksoi se qeveria duhet të shtyjë përpara procesin e “ribashkimit paqësor” të vendit, duke marrë masa vendimtare për të kundërshtuar pavarësinë Tajvanit.

Në fjalimin e tij të dielën në Kongresin Popullor Kombëtar, Li Keqiang përsëriti parimin “një Kinë” , sipas të cilit Tajvani është pjesë integrale e territorit kinez.

Qeveria duhet të zbatojë politikën e partisë sonë për “zgjidhjen e çështjes së Tajvanit” dhe të marrë “masa vendimtare për të kundërshtuar pavarësinë e Tajvanit dhe për të promovuar ribashkimin”, u tha kryeministri rreth 3,000 ligjvënësve në Pallatin madhështor të Popullit në Pekin.

Kina e konsideron ishullin me 24 milionë banorë si provincën e saj, të destinuar për t’u ribashkuar me të.

Gjatë tre viteve të fundit ajo ka rritur praninë e saj ushtarake pranë ishullit në përgjigje të asaj që ajo e quan një “bashkëpunim të fshehtë” nga Taipei me Uashingtonin, mbështetësin kryesor dhe furnizuesin e armëve të Tajvanit.

Keqiang theksoi gjithashtu në fjalimin e tij se forcat e armatosura të Kinës duhet të forcojnë gatishmërinë e tyre luftarake duke intensifikuar stërvitjen ushtarake në të gjitha fushat.

Në këtë kuadër, për më tepër, buxheti kinez parashikon një rritje të shpenzimeve për mbrojtjen këtë vit me 7,2% krahasuar me vitin 2022 (kur ishin rritur me 7,1% krahasuar me një vit më parë)./Albeu.com./


Shtuar 5.03.2023 07:32