“Me kanun, vrasja e një gruaje lahet me 7 burra”, flet i afërmi i Etleva Kurtit: Krimi ishte i paralajmëruar

Viktimë e masakrës së Dan Hutrës ditën e djeshme në Tiranë ishte edhe Etleva Kurti me origjinë nga fshati Gurrë e Vogël në Mat.

32 vjeçarja është përcjellë këtë të enjte në banesën e fundit në fshatin e saj të lindjes.

Familjarët që ende jetojnë aty janë shprehur të tronditur dhe kanë kërkuar dënim maksimal për autorin.

Mehmet Kurti ka thënë për News 24 se e reja ishte një viktimë e paralajmëruar, pas konfliktit që ka patur Dan Hutra me vëllain e Etlevës, Vladimir Kurtin në burg.

Ai shtoi se këtë e përforcon edhe fakti se Hutra kishte deklaruar që do t’i vriste gjithë familjen Vladimirit, ndërsa shteti nuk ka reaguar.

“Ngjarja mos i raft kujt. Kjo që i ka rënë Petrit Kurtit, të lërë dy vajza dhe bashkëshorten në Kamëz të Tiranës për halle të veta, dhe ajo është vrarë. Të vritet një femër në mënyrë të pafajshme, femra lahet me 7 meshkuj. Me kanunin e Lekë Dukagjinit. Ajo që i ka ranë vëllait tim mos i rëntë kujt. Perderisa jam rrit me të, unë vëlla e kam. Petrit Kurti sot nuk është në varrim të vajzës vet, për arsye që nuk po i përmend. Por sot me atë që ka bërë Dan Hutra qoftë edhe djali im, apo vëllanë im, ai duhet dënim jo i përjetshëm, por duhet varur për këmbë.

Dan Hutra me vajzën nuk ka pasur asnjë lloj marrëdhënie. Ka qenë në burg me Vladimir Kurtit, janë rrahur dhe copëtuar atje. Ai ka pas rreshta me dal prej burgu, djali i kushëririt tim është me burgim të përjetshëm. Ai i ka thënë se kur të dal prej burgu kam për të të vrarë të gjithë familjen. Shteti ka fjet gjumë dhe shkoi e vrau një vajzë 32-vjeçare, në shkallët e derës së shtëpisë. E ëma ka qenë duke punuar pas kopshtit. Janë rrahur në burg dhe puna arriti deri këtu. Fisi Hutraj sipas kanunit, një femër lahet me shtatë meshkuj. Shteti mund të bëjë punët e tij, por të tjerët që janë pas atij do ta marrin parasysh. Këtu nuk ka ligje”, tha thënë ai. /albeu.com


Shtuar 2.03.2023 14:21