Policia e Fierit procedon penalisht 4 persona, akuzohen për vepra të ndryshme penale

Katër persona janë proceduar penalisht për vepra të ndryshme penale. Një 49 vjeçar akuzohet për fshehje të të ardhurave, mospagim taksash dhe punësim të paligjshëm pasi në dy kamionë në pronësi të subjektit që administronte, u gjetën materiale inerte pa dokumentacion përkatës.

“Gjithashtu, rezultoi se njëri prej shoferëve të kamionëve, nuk ishte regjistruar si i punësuar në këtë subjekt. Në vijim të veprimeve procedurale, u sekuestruan rreth 45 tonë materiale inerte dhe mjetet me të cilat ato transportoheshin.” thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.

Në hetim është vënë edhe një 30 vjeçar që mbante në shtëpi të fejuarën pa dëshirën e saj

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. B., 30 vjeç, banues në Ballsh, pasi dyshohet se ka mbajtur pa dëshirën e saj, në banesë, një shtetase (e fejuara e tij).”

Gjithashtu janë proceduar edhe dy të rinj të tjerë pasi nuk i janë bindur urdhërit të policisë për të ndaluar.

“Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. L., 19 vjeç dhe E. Q., 20 vjeç, banues në Ballsh, pasi duke qarkulluar me një motomjet, nuk i janë bindur udhrit të punonjësit të Policisë, për të ndaluar.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”


Shtuar 19.02.2023 12:23