Autor i disa vjedhjeve në Lezhë, arrestohet 32-vjeçari, policia i gjen në banesë kallashnikov dhe municion luftarak

Policia e Lezhës ka arrestuar një 32-vjeçar, autori i disa vjedhjeve në këtë qytet.

Gjatë kontrollit në banesën e 32-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov, 2 krehra arme dhe 155 fishekë luftarak.

Njoftimi i Policisë:

Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Blinishti” sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.

Autor i disa vjedhjeve, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari që mbante në banesë, 1 armë zjarri kallashnikov, krehra armësh dhe qindra fishekë luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, si rezultat i punës operacionale në terren, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, për zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe për vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Blinishti”

Si rezultat i këtij operacioni, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. Ll., 32 vjeç, banues në Blinisht, Lezhë.

Gjatë kontrollit në banesën e 32-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov, 2 krehra arme dhe 155 fishekë luftarak.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë rast, rezultoi se shtetasi E. Ll. është gjithashtu, autor i vjedhjeve të materialeve, në 3 banesa në fshatra të ndryshme të Lezhës, vjedhje të kryera në datat 02.12.2022, 17.12.2022 dhe 14.02.2023.

Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme./albeu.com