Në Gjykatën Themelore në Tetovë, sot vazhdon gjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës. Para Gjykatës janë mbledhur dhjetëra familjarë të viktimave dhe përkrahës të tyre, të cilët kërkojnë drejtësi.
Më 31 janar ishte seanca e fundit në të cilën u dëgjuan shtatë dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria.
Në pyetjen e prokurorëve, të gjykatësit dhe të avokatëve të të akuzuarve dhe të dëmtuarve u përgjigjën dy mjekë, një infermiere dhe katër persona të cilët në spitalin modular shoqëronin pacientët.
Gjykimi sot vazhdon me dëgjimin edhe të disa dëshmitarëve, ndërsa gjykatësi Jordan Vellkovski paralajmëroi se do të ftohen edhe ekspertët që e kanë përgatitur ekspertizën. Më pas do të ketë seanca dëgjimore të dëshmitarëve dhe dëshmi me shkrim të mbrojtjes.
Të akuzuarit, drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi, mjeku Boban Vuçevski dhe përfaqësuesi i Spitalit Klinik të Tetovës si person juridik, në fillim të gjykimit theksuan se e kuptojnë akuzën, por nuk pranojnë fajin dhe se nuk i kanë kryer veprat për të cilat akuzohen.
Gjykimi për zjarrin që ndodhi më 8 shtator të vitit 2021, ku humbën jetën 14 persona, ndërsa dhjetëra u lënduan, filloi më 7 dhjetor të vitit 2022, pasi nga shtatori i vitit 2022 deri atëherë procesi gjyqësor disa herë u shty./tv21