A do të vijojë të drejtojë Argjentinë? Scaloni merr vendimin për të ardhmen

Do të vazhdojë apo jo Lionel Scaloni në drejtimin e kombëtares së Argjentinës? Kjo ishte pyetja që tifozët e “Albiceleste” bënin shumë shpesh pas suksesit në Kupën e Botës, ku trajneri udhëhoqi Mesi & Co. drejt një triumfi historik.

Duket se më në fund Lionel Scaloni ka marrë vendimin e tij dhe do të vazhdojë të jetë në drejtimin e kësaj përfaqësueseje, për të synuar një tjetër rrugëtim historik në Botërorin e vitit 2026.

Sipas mediave argjentinase, ai do të rinovojë së shpejti kontratën e tij, e cila kishte përfunduar në dhjetorin e vitit të kaluar, pak ditë pasi ngjiti Argjentinën në majën e futbollit botëror.

“TycSports” bën të ditur se rinovimi do të bëhet zyrtar në ditët e para të muajt mars dhe trajneri do të jetë ai që do të drejtojë ekipin që në ndeshjet miqësore të muajit të ardhshëm.

Vendimi i Scalonit për të vazhduar, besohet se mund të shtyjë edhe Lionel Mesin që të qëndrojë më gjatë në radhët e përfaqësueses, ndoshta pikërisht deri në Botërorin 2026.


Shtuar 15.02.2023 20:33