Për herë të parë në misionet e tyre jashtë vendit, ekipet e shpëtimit të Zvicrës nxorrën njerëz të gjallë nga rrënojat

Punonjësit e shpëtimit të dërguar nga Berna në Turqi kanë nxjerrë të gjallë njerës nga rrënojat e tërmetit, bëri me dije qeveria, për herë të parë në dy dekada të pjesëmarrjes zvicerane në punën ndërkombëtare të reagimit ndaj fatkeqësive.

Zvicra dërgoi një ekip prej 80 punëtorësh shpëtimi disa orë pasi një tërmet me magnitudë 7.8 goditi Turqinë dhe Sirinë. Ministria e Jashtme tha se ekipi i Zvicrës deri më tani kishte shpëtuar nëntë persona.

“Ne mund të konfirmojmë se kjo është me të vërtetë hera e parë në 20 vjet që punonjësit e shpëtimit zviceranë të dërguar për të ndihmuar me katastrofa jashtë vendit kanë gjetur njerëz të gjallë”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Valentin Clivaz për agjencinë e lajmeve AFP.

Ai konfirmoi një raport nga transmetuesi publik RTS që detajonte se si shpëtuesit zviceranë të mërkurën në mbrëmje gjetën një grua të moshuar në një ndërtesë të shembur në Hatay përpara se të shpëtonin një familje prej katër anëtarësh, duke përfshirë një foshnjë. Të tjerë ishin shpëtuar në fillim të javës, tha ai. /albeu.com


Shtuar 9.02.2023 20:15