Policia e Durrësit ka arrestuar një shtetas anglez, i cili u kishte siguruara pasaporta të falsifikuara bullgare 5 sshtetasve turq.
Anglezi u kap nga shërbimet e policisë duke i transportuar këta shtetas me automjet.
Pesë shtetasit turq janë arrestuar pasi tentuan të dilnin nga vendi ynë me pasaporta false.
Janë vënë në pranga: shtetasi anglez J. S., 41 vjeç dhe shtetasit turq: M. K., 29 vjeç, M. D., 23 vjeç, A. A., 19 vjeç, H. K., 20 vjeç dhe M. H., 31 vjeç.
Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në dalje të RSh-së, kanë ndaluar për kontroll, automjetin me drejtues shtetasin J. S., ku kanë parë 5 shtetasit turq, të cilët transportoheshin nga 41-vjeçari, për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, të 5 shtetasve turq iu gjetën pasaporta bullgare false, të cilat dyshohet se janë siguruar nga shtetasi J. S., për t’i kaluar këta 5 shtetas, drejt vendeve të BE-së.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”./Albeu.com/