Sherri mes policëve në ish-bllok, reagon AMP: Nën hetim edhe shefi i operacionales

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar në lidhje me konfliktin mes disa punonjësve të policisë në zonën e ish-bllokut në kryeqytet mbrëmjen e djeshme.

AMP bën me dije se ka nisur procedimi në gjendje të lirë për një efektiv të FNSH dhe për shefin e operacionales në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Vladimir Laska. Ky i fundit dyshohet ër ‘Kanosje” e “Dëmtime të tjera me dashje”.

Po ashtu hetim ka nisur edhe për M.I. 33 vjeç, i dyshuar për “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Njoftimi:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) Tiranë ka referuar në Prokurori materialet proceduriale në gjendje të lirë në ngarkim të 2 punonjësve të Policisë dhe 1 shtetasi, konkretisht:

– R.I., 33 vjeç, efektiv i FNSH, i dyshuar për ‘Kanosje”;

– V.L. 44 vjeç, efektiv i Forcës së Posaçme Operacionale, i dyshuar për ‘Kanosje” e “Dëmtime të tjera me dashje”;

– M.I. 33 vjeç, i dyshuar për “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Nga veprimet hetimore rezulton se punonjësi i policisë V.L., jashtë shërbimit, është konfliktuar e përplasur fizikisht, për motive të dobëta, së pari me shtetasin M.I., në një dyqan në rrugën “Nikolla Tupe”. Më pas në debat është përfshirë dhe punonjësi tjetër i Policisë, R.I., edhe ai jashtë shërbimit.

Me marrjen e njoftimit kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 2 Tiranë dhe forcat “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar palët deri në përfundim të veprimeve të para hetimore.

Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj dy efektivëve të Policisë.

Materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës. /albeu.com


Shtuar 31.01.2023 14:54