Lara Kolturi vazhdon të shkëlqejë këtë sezon në garat me ski. Pas medaljeve të arta që mori në Botërorin U18, 16-vjeçarja italiane e cila përfaqëson Shqipërinë, po bën performanca premtuese edhe në garat për të rritur në Kupën e Botës.
Sot ajo ka garuar në etapën e Kupës së Botës në Kronplatz të Italisë, duke e mbyllur në vendin e 17-të në renditje pas dy zbritjeve në sllallomin gjigand. Performancat e saj po tregojnë se ajo është padyshim një nga emrat e rinj më të spikatur në garat e skive.
Kolturi ka siguruar rezultate të cilat për momentin e renditin në vendin e 29 në klasifikimin e përgjithshëm botëror në këtë disiplinë dhe ka tërhequr vëmendjen e specialistëve të cirkuiteve të cilët parashikojnë një të ardhme të shkëlqyer për sportisten. /albeu.com