Reforma zgjedhore: Zbardhen propozimet e opozitës

Reforma zgjedhore mblodhi sërish sot përfaqësuesit ku mësohet se data 15 mars të jetë finalizimi i propozimeve të reformës.

Rudina Hajdari në emër të opozitës parlamentare tha se nëse është e nevojshme do ketë ndryshime në Kushtetutë dhe në kodin zgjedhor.

“Ramë dakord për kalendarin, çështjet që do shtrojmë. Të gjitha duan kohën e duhur dhe seriozitetin e duhur që te jemi në gjendje të arrijmë në dakordësi. Me rendësi është të arrijmë në një produkt final, që të jetë i duhuri dhe më i përshtatshmi për të garantuar të drejtën e zgjedhurit, t’i heqim presionin politik, që qytetarët e kanë pasur të pamundur të mendojnë të lirë.

Me rëndësi është transparenca e kësaj tryeza, mbikëqyrja e ndërkombëtarëve. Sot ka patur prezencë të OSBE e BE-së, gjithashtu ishte i pranishëm edhe ambasadori britanik. Pra ka një angazhim të fortë në lidhje me ketë tryezë. 15 marsi datë është ambicioze dhe shumë e pamundur, por ekspertët do ulen do punojnë paraprakisht, nëse është e nevojshme do ketë ndryshime edhe në kushtetute, jo vetëm ne Kodin Zgjedhor.” u shpreh Hajdari.

Por cilat janë propozimet e opozitës për reformën zgjedhore

Masa kundër shitblerjes së votës, ndarja e politikës nga krimi, përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, dhe sistemi zgjedhor.

Për të përmbushur afatin e 15 marsit, grupit i punës ka listuar 12 çështje kyçe, ku vërehet se pjesën më të madhe e zënë kërkesat e opozitës për të patur një proces zgjedhor me standarde demokratike, dhe ku përfshihet edhe çështja e sistemit zgjedhor.

Parandalimi dhe goditja e krimeve zgjedhore, ku përfshihen “masa per rolin e policisë, prokurorisë dhe gjykatave në procesin zgjedhor kundër shitblerjes së votës, presionit mbi zgjedhësit dhe administratën, cenimit të sekretit dhe lirisë së votës dhe abuzimi me burimet shtetërore”.

Ndarjen e politikës nga krimi, një kërkesë e vazhdueshme e opozitës, për të cilën parashikohet forcimi i zbatimit të procesit të dekriminalizimit, financimi i partive politike dhe përfshirja e teknologjisë elektronike në zgjedhje.

Listat e zgjedhësve, pajisjen me karta ID dhe parandalimin e votimit fiktiv, rolin e medias në fushatë, parandalimin e abuzimit me burimet shtetërore dhe administratën publike, paanshmërinë e administratës zgjedhore në të gjitha nivelet.

“Parakusht që këto masa të jenë efikase, është krijimi i një fushe loje të barabartë nëpërmjet zbatimit të plotë të parimit të “ndarjes së shtetit nga partitë politike” në përputhje me Angazhimin e OSBE-së të parashikuar nga paragrafi 5.4 i Dokumentit te Kopenhagenit.”- thuhet në dokument.


Shtuar 27.01.2020 12:14