Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sot në televizionin “TV Pink” ka zbuluar përgjigjen e KFOR-it për kërkesën e Serbisë për kthimin e trupave serbë në Kosovë.
Ai tha se përgjigja e KFOR-it ishte negative.
“Në letrën e tyre të përpiluar me kujdes drejtuar Qeverisë së Serbisë, të cilën e kam marrë edhe unë, ata janë përgjigjur se besojnë se nuk ka nevojë për kthimin e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës, duke iu referuar Rezolutës 1244. Por ata nuk iu referuan një pjese të Rezolutës, pasi nuk kanë të drejtë ta refuzojnë atë kërkesë”, tha Vuçiq.
Ai tha se letrën e kanë pranuar në prag të Krishtlindjeve, duke shtuar se një përgjigje pozitive në atë ditë do të ishte e mirë, pasi sipas tij, një përgjigje negative është e papërshtatshme të dërgohet në festa të tilla.
Kujtojmë se Serbia më 15 dhjetor ka dërguar në KFOR kërkesën për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.
Po në këtë ditë, Vuçiq kishte thënë se Serbia po kërkon kthimin e 100 deri në 1.000 trupave, “sipas Rezolutës 1244”.