Plagosja e dy personave në Shtërpcë, reagon Kurti: Autori do të përballet me drejtësinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka reaguar për plagosjen e dy personave në Shtërpcë.

Kurti ka dënuar ashpër sulmin dhe u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve. Ai ka theksuar se i dyshuari i arrestuar do të përballet me drejtësinë.

“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë”, ka thënë ai.

“Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”, shkruan më tej Kurti në një postim në Facebook.


Shtuar 6.01.2023 18:48