Hakan Calhanoglu: Lukaku e bën Interin më të fortë, Dzeko me golat e tij na “mbajti” në këmbë

Me përfundimin e Botërorit lojtarët janë kthyer te ekipet e tyre dhe po bëhen gati për rinisjen e ndeshjeve të kampionatit. Me Lautaron kampion Bote dhe rikthimin e Lukakut atmosfera duket se është shumë e “ngrohte” tek Inter dhe këtë e konfirmon dhe mesfushori Hakan Calhanoglu.

Në një intervistë për prestigjiozen “Corriere della Sera”, Calhanoglu tha se këtij Botërori i mungonin Turqia dhe Italia, megjithatë ai shtoi se të gjithë në kampin stërvitor po presin Lautaron për të festuar arritjen e tij.

“Pashë vetëm finalen, ishte një ndeshje e shkëlqyer. Por në turne ndjeva se Turqia ime dhe Italia mungonin. Jam i lumtur për Lautaron, jemi miq, e di se sa kujdeset për Kupën e Botës. Mezi presim ta shohim në Appiano si kampion bote për ta festuar të gjithë së bashku”,- u shpreh mesfushori turk.

Më tej Hakan është shprehur shumë i lumtur për rikthimin e Lukakut në kampin “zikaltër” e gjithashtu nuk munguan as vlerësimet për sulmuesin Edin Dzeko, i cili ka qenë fantastik këtë sezon.

“Me Lukakun jemi një ekip tjetër, më i fortë. Në çdo rast, ne kemi shumë lojtarë të mëdhenj. Duhet të falenderojmë Dzekon, me golat e tij na mbajti në këmbë në momente të vështira. Nëse ne jemi të katërtit, i detyrohemi shumë. Ai është shembull. Ai do të jetë akoma i rëndësishëm, si Correa dhe të gjithë ata që hyjnë në ndeshjen aktuale. Duhet të jemi të bashkuar”,- është shprehur Hakan.


Shtuar 22.12.2022 20:20