Njëri e huton tjetri i “zhvat” portofolin, arrestohen dy “skifterët” e spitalit në Durrës (VIDEO)

Finalizohet operacioni policor i koduar “Sporteli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pasurisë.

Vodhën gjatë këtij viti, në sportelin e Spitalit Rajonal Durrës, portofolat dhe celularët e 8 shtetasve, identifikohen, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga, 2 autorët e dyshuar.

Të arrestuarit, të dënuar më parë për të njëjten veprimtari kriminale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pasurisë, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët të cilët kanë denoncuar vjedhjen e portofolave dhe sendeve të tyre personale, në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Sporteli”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– N. L., 65 vjeç, banues në Kuçovë dhe N. I., 64 vjeç, banues në Elbasan, të dy të dënuar më parë për vjedhje.

Nga veprimet hetimore për këtë rast, ka rezultuar se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të 8 vjedhjeve të portofolave me shuma parash, dhe të celularëve të shtetasve të ndryshëm të cilët prisnin për të marrë shërbimet, në sportelin e Spitalit Rajonal Durrës, vjedhje këto të ndodhura gjatë këtij viti.

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 21.12.2022 12:37