Kamerat e sigurisë kanë fiksuar dinamikën e ngjarjes, nga momenti kur autori Eduart Lamaj është futur në katin e parë që shërben si bar-kafe, tek përplasja me armë mes palëve dhe largimin nga vendngjarja të autorit dhe personave të tjerë që e shoqëronin.
Në orën 21:30 të datës 30 Maj 2020, Paulin Gjergji apo Paulin Marku, dhe Bujar Lika qëndrojnë të ulur në një tavolinë në cepin veriperëndimor të lokalit duke konsumuar kafe. Personi tjetër i vetëm që ndodhet brenda lokalit është kamarieri.
20 minuta më vonë (ora 21:50), në horizont shfaqen dritat e një automjeti. Në parkingun e këtij lokali afrohet një automjet Golf 5 me ngjyrë të zezë, me 4 persona brenda. I parkuar në atë sheshpushim është edhe një automjet tjetër, fuoristrada Range Rover e Paulin Gjergjit.
Dy persona dalin nga krahu i majtë i automjetit Golf. Autori 1 është një person i maskuar me kapuç, i veshur me një jelek ngjyrë jeshile në dukje anti-plumb, dhe që mban në dorë një armë. Identitetin e këtij personi do ta zbulojmë më vonë. Ai drejtohet për tek fuoristrada Range Rover, ku brenda ndodhen dy djemtë e Paulin Gjergjit, të cilët i mban peng aty nën kërcënimin e armës.
Autori i 2-të që doli nga mjeti është i maskuar, i veshur me pelerinë si ato të policisë, me tuta ngjyrë të kuqe dhe i armatosur me kallashnikov. Ky person vrapon drejt derës së pasme të hotelit. Një person i tretë (i emërtuar autori 3) i maskuar, me kapele të bardhë dhe i veshur me xhup blu shkon drejt derës së pasme të hotelit. Kurse autori i 4-t qëndron te parkingu së bashku me autorin 1 duke mbajtur peng dy djemtë e Paulin Gjergjit i cili ndodhet brenda lokalit.
Autori 2 i identifikuar si Eduart Lamaj futet brenda lokalit. Pas tij ka hyrë tek holli edhe autori 3. Eduart Lamaj afrohet në një distancë rreth 5-6 metra larg tavolinës ku qëndronin ulur Bujar Lika dhe Paulin Gjergji. Në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë, por bazuar edhe në konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë së Kurbinit, duket se Bujar Lika i ulur në tavolinë, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Eduart Lamajt.
Ky i fundit ka hapur zjarr me breshëri drejt tavolinës së Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit. Nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i plagosur edhe vetë Eduart Lamaj, i cili rrëzohet përtokë dhe tërheq zvarrë këmbën e majtë. Megjithatë, edhe pse plagosur, ai vazhdon të qëllojë me kallashnikov në drejtim të tyre.
12 sekonda ka zgjatur përplasja me armë brenda lokalit. Bujar Lika ka mbetur i vrarë, ndërsa Paulin Gjergji i plagosur. Duke u zvarritur, Eduart Lamaj arrin të dalë nga lokali edhe me ndihmën e dy bashkëpunëtorëve të tjerë, njëri prej të cilëve Ilir Lika, siç thuhet në dosjen e Prokurorisë, të cilin e kemi emërtuar autori 1. Kurse personi i katërt qëndron në parking duke mbajtur peng djemtë e Paulin Gjergjit.
Në parkingun e hotelit krijohet konfuzion kur shikojnë Eduart Lamajn të plagosur. Autori 4 harron për një moment djemtë e Paulin Gjergjit dhe shkon të ndihmojë mikun e tij Eduart Lamaj. Duke e tërhequr zvarrë këtë të fundit, të dy rrëzohen. Ndërsa djemtë e Paulin Gjergjit qëndrojnë të shtangur nga ajo që po ndodh para syve të tyre. Ata ende nuk e dinë se babai i tyre është qëlluar me armë. Në orën 21:51, të katërt autorët futen në makinë Golf me të cilën erdhën dhe largohen me shpejtësi.Ky është momenti kur djemtë e Paulin Gjergjit hyjnë brenda lokalit dhe shikojnë babain e tyre të shtrirë përtokë të gjakosur dhe të mbështetur pas një kolltuku. Paulin Gjergji ishte ende gjallë, me disa plagë arme.
Të kapluar nga shoku i skenës që u panë sytë, djemtë e Paulin Gjergjit dhe kamarieri nxitojnë të dërgojnë drejt Spitalit të Traumës të atin. Paulin Gjergji ndërroi jetë në spital si pasojë e shokut të rëndë traumatik-hemoragjik në terren politraume nga breshëria e plumbave të kallashnikovit. Ndërsa miku i tij Bujar Lika kishte humbur jetën në vendngjarje si pasojë e konfuzionit hemorragjik të trurit dhe politraumës.
Një muaj pas vrasjes së dyfishtë në hotelin A&A në autostradën e Laçit, autori kryesor i ngjarjes Eduart Lamaj, paraqitet për mjekim në një spital privat në Tiranë pranë Qytetit Studenti. Ai ishte prezantuar aty me emrin Veri Pëllumbi. Gjatë kësaj kohe, siç ka deklaruar për hetuesit pas arrestimit, ka qëndruar në shtëpi pasi nuk ka patur hemorragji të plagës dhe ka pirë antibiotikë.
Policia kishte marrë informacion në rrugë operative se në këtë spital një person i plagosur me armë zjarri i ishte nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Forcat e policisë u nisën menjëherë drejt vendngjarjes. Pas operacionit, mjeku u mor në pyetje nga policia dhe deklaroi se pacienti kishte plagë me armë zjarri që nuk ishte e freskët. U verifikua se i plagosuri ishte pikërisht Eduart Lamaj dhe jo Veri Pëllumbi siç ishte prezantuar në spital. Ai u arrestua.
Pak ditë më vonë, më 28 Qershor 2020 u prangos edhe Ilir Lika (Xhepaj), i akuzuar si bashkëpunëtor i Eduart Lamajt, edhe pse ky i fundit nuk i ka pranuar akuzat. Më 18 Tetor 2022, Gjykata e Kurbinit dënoi me burgim të përjetshëm Eduart Lamajn për vrasjen e dyfishtë dhe me 35 vite burg Ilir Likën (32 vite me gjykim të shkurtuar) për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.
Në kërkim për vrasjen e dyfishtë vijojnë të jenë Klaudio Përkola dhe Oltion Vlashi. Drejtoria e Policisë së Lezhës ka analizuar edhe profilin e dy viktimave Bujar Lika dhe Paulin Gjergji.
Bazuar në analizën e sistemeve të policisë TIMS dhe MEMEX, Bujar Lika rezulton të ketë qenë i padënuar më parë më vendim gjyqësor, por ka qenë objekt pune i strukturave të Krimeve të Rënda.
Bujar Lika, i cili figuron i regjistruar edhe me identitetet Bujar Hasani alias Arton Isufi (Lika) ka qenë i shpallur në kërkim me kartelë “Rozë” si autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur në ambientet e lokalit Muraga në Linzë të Tiranës më 11 Nëntor 2015, ku mbeti i vrarë Enton Nikaj dhe u plagos rëndë një person tjetër. Në raportin e Policisë së Lezhës thuhet se Bujar Lika ka patur lidhje shoqërore me persona të dyshuar për krime kundër personit.
Paulin Gjergji nuk rezulton të ketë qenë i dënuar me vendim gjyqësor në Shqipëri. Nga të dhënat e sistemeve TIMS dhe MEMEX, nuk rezulton që të jetë evidentuar si person me precedent kriminal dhe nuk ka patur rekorde kriminale. I vetmi informacion i regjistruar ndaj tij në sistemet e policisë është vetëm ngjarja e 30 Majit 2020 në ambientet e hotelit A&A, ku mbeti vetë i vrarë së bashku me mikun e tij Bujar Lika./ Klan