Ka një luftë të hapur tashmë mes ambasadës amerikane në Tiranë dhe qeverisë shqiptare teksa pritet zgjedhja e kreut të ri të SPAK gjatë javëve në vijim. Deri më tani, SPAK-u ka kapur “peshq” të vegjël, ndërkohë që dosjet e “peshqve të mëdhenj” janë mykur prej tre vitesh në sirtarët e Arben Krajës.
Është pikërisht qeveria që kërkon të mbajë me pluhur këto dosje duke kërkuar që të zgjedhë në krye të SPAK-ut një emër të sajin, ndërsa amerikanët mbështesin prokurorin Altin Dumani me shpresën se ai do t’i japë një frymë tjetër këtij institucioni duke iu përgjigjur edhe pritshmërive të shqiptarëve.
Ata që qëlluan “fishekun” të parët ishte qeveria duke thënë publikisht se Yuri Kim po ikën dhe se ka filluar procedura për zëvendësimin e saj.
Kjo ngjalli reagimin e amerikanëve, ndërsa ambasadorja Kim prej tre ditësh reagon publikisht në lidhje me Reformën në Drejtësi dhe nevojën e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, gjë e cila në fakt është një përgjigje ndaj tentativave të qeverisë për të kapur edhe kokën e SPAK-ut.
Në këtë kontekst, Kim doli sot në një konferencë të posaçme për shtyp duke dhënë tre mesazhe të forta.
Mesazhi nr.1: Jam këtu, nuk iki
Ndërkohë që qeveria rreket t’i kujtojë anëtarëve të KLP-së se Kim po ikën dhe duhet të votojnë emrin e maxhorancës për në krye të SPAK, Yuri Kim e thotë hapur: Nuk iki, jam këtu edhe për një kohë të gjatë!
Ky mesazh shkon për anëtarët e KLP-së që të mos shantazhohen nga qeveria, por edhe ndaj Ramës dhe të vetëve që “të mos kruhen shumë”.
Mesazhi nr.2: Nuk heshtim
Ambasadorja e pranon se ka patur shumë rezistencë për implementimin e Reformës në Drejtësi duke theksuar se shpesh pala shqiptare ka dashur që ajo të heshtë, ndërsa konfirmon se Shqipëria është aleate e besuar e SHBA-ve. Në këtë mënyrë, ambasadorja vë në pah interesat e vendit dhe aleancës mbi ato të maxhorancës për të kapur kreun e SPAK duke e cilësuar korrupsionin një rrezik kombëtar.
Mesazhi nr.3: Enver Hoxha rrotullohet në varr
Edhe pse me shumë delikatese, ambasadorja Kim i kujtoi maxhorancës lidhjet me komunizmin dhe qasjen autoritare të kësaj maxhorance, e cila pasi kapi biznesin, median dhe çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, tani do të kapë përfundimisht edhe drejtësinë.
Pas “silurëve” të Yuri Kim, mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i maxhorancës tani. /albeu.com