Hakerat iranianë, që nga muaji korrik, janë kthyer në një kërcënim serioz të të dhënave të qytetarëve shqiptarë. “Homeland Justice” vazhdimisht nxjerr të dhëna, ndonëse qeveria e mohon të jenë marrë informacione sensitive.
Ndërsa hakterat bëjnë festë me të dhënat tona, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do t’i paguajë thasë me para Microsoftit për realizimin e ndryshimit të projektit të partneritetit strategjik në fushën e teknologjisë së informacionit.
Në një vendim të Këshillit të Ministrave, thuhet se është miratuar marrëveshja për një fond prej 2, 392,794,278 lekësh, që do t’i jepen kompanisë “Microsoft Corporation”.
V E N D I M
PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË RINOVUAR PËR PARTNERITETIN STRATEGJIK, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHOQËRISË “MICROSOFT CORPORATION”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.55, DATË 3.2.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”, dhe të nenit 7, të aktit normativ nr.18, datë 9.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”, të ndryshuar”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese, të marrëveshjes së rinovuar për partneritetin strategjik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “Microsoft Corporation”, miratuar me vendimin nr.55, datë 3.2.2021, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Fondi total prej 2 392 794 278 (dy miliardë e treqind e nëntëdhjetë e dy milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, për realizimin e ndryshimit të projektit të partneritetit strategjik në fushën e teknologjisë së informacionit të përballohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Autorizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të lidhur marrëveshjet e parashikuara për zbatimin e projektit strategjik, sipas përcaktimeve në marrëveshjen ndryshuese të marrëveshjes së rinovuar për partneritetin strategjik, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./albeu.com