Mediat spanjolle kanë raportuar dje për operacionin ndërkombëtar të mashtrimit të 200 mijë europianëve me kriptomonedhat që çoi në një aksion gjithashtu në Shqipëri me arrestime.
Sipas spanjolles “El Pais”, e cila sjell dhe rrëfime të viktimave, “autoritetet spanjolle morën pjesë në bastisjen shqiptare, burimi kryesor i thirrjeve të marketingut për viktimat në gadishullin Iberik. Një urdhër-arresti është lëshuar për Amant J., një pronar call-center me lidhje të nivelit të lartë me qeverinë shqiptare, i cili është edhe këshilltar i Ministrisë së saj të Mbrojtjes”.
Sipas burimeve policore, kriminelët kanë grumbulluar 2.5 miliardë dollarë (2.4 miliardë euro) nga qindra mijëra viktima në mbarë botën.
Shtetasi që El Pais i referohet si Amant J, sipas kreut të PD Sali Berisha është biznesmeni Amant Josifi, i cili sipas tij është i mbrojtur nga vëllai i kryeministrit, Olsi Rama.
Këtu kam denoncuar vjedhjet që po bëhen me bitcoin. Këtu kanë zbarkuar policitë e vendeve të BE-së, sepse rrjeti i ‘call center’-ave i identifikuar tani të një biznesmeni që quhet Amant Josifi, biznesmen pushteti ai që ka mbulimin e plotë të Olsi Ramës, u ka vjedhur qytetarëve evropian 2.2 miliardë euro. Duke i joshur, duke i mashtruar, blini Bitcoin dhe vendoseni në këtë aplikacion se kompania jonë do ua vlerësojë 30% më shumë dhe ky Bitcoin kalon në kuletat e hajdutëve shqiptarë, konvertohet në lekë ose depozitohet në Emiratet e Bashkuara. Ky është një nga mekanizmat që Rama do t’ia kalojë edhe princit të Emirateve për pasuri. Alabbar është i pasur, por Rama në këtë mënyre do bëhet më i pasur se Alabbar”, theksoi Berisha.